Nga Maksi Çami
Në vitin 2018, dy akademikë perëndimorë publikuan një libër të cilin, me sa duket, çdo politikan shqiptar duhet ta ketë lexuar me laps në dorë. “How to Rig an Election” është një manual për autokratët modernë që duan të fitojnë zgjedhje pa garë, të ruajnë pushtetin pa dhunë dhe të japin spektakël demokracie pa thelb demokratik. Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, ai libër tingëllon më shumë si përkthim i realitetit shqiptar sesa si paralajmërim për vende të largëta.
Në Shqipëri, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk kanë fituar zgjedhje, ata i kanë dizajnuar, kontrolluar, shfrytëzuar dhe modeluar në mënyrë që rezultati të jetë jo i rastësishëm, por i parashikuar. Prandaj Rama i habiti të gjithë kur dilte te Fevziu e media të tjera me arrogancën e numrave dhe mandateve mbi 79. Në vend të garës politike, kemi parë një konkurs të orkestruar. Dhe kur sheh në detaje procesin elektoral të vitit 2025, kupton se çdo teknikë që Cheeseman dhe Klaas përshkruajnë për manipulimin e zgjedhjeve, është përdorur mjeshtërisht këtu.
Fillimisht, ndryshimet e fshehta në sistem. Pa konsultim publik, pa debat të hapur dhe me shumicë parlamentare absolute, mazhoranca modifikoi Kodin Zgjedhor, duke futur një sistem të dyfishtë me lista të hapura dhe të mbyllura, të krijuar për të favorizuar partitë e mëdha. Ata që e panë këtë si përmirësim teknik, ose janë naivë, ose janë pjesë e planit. Në realitet, kjo ishte një mënyrë për të penguar kandidatët alternativë, për të mbyllur garën për ata që s’janë në sistem dhe për të ruajtur kontrollin nga lart.
Më pas, erdhi blerja elegante e votës. Pensionistët morën një shpërblim direkt në prag të fushatës. Askush nuk e tha troç që ishte blerje vote. U shfaq si kujdes social. Por çdo njeri i arsyeshëm e kupton kur dikush të jep para prej zgjedhjeve dhe pastaj të buzëqesh në ekran. Rritje pagash të premtuara, bonuse familjare, shpërndarje subvencionesh për fermerët dhe falje gjobash, të gjitha të servirura si politika publike, por të kohëzuara për efekt elektoral. Qytetari shndërrohet në klient, vota në monedhë, dhe politika në treg.
Në terren, frika fliste më shumë se fjalët. Administrata publike, veçanërisht në rrethe të vogla, u përfshi në fushatë jo me vullnet, por me detyrim të heshtur. Drejtues të institucioneve urdhëronin pjesëmarrjen në mitingje. Punonjësit merrnin pjesë, jo nga bindja, por nga frika për vendin e punës. Kjo nuk është demokraci. Është një sistem patronazhi ku shteti përdoret si mjet presioni, dhe liria e votës është thjesht iluzion.
Media u kontrollua jo me urdhër, jo me censurë të drejtpërdrejtë, por me lidhje financiare e kontrata publike reklamimi. Me heshtje të blerë, pra kur lajmet përsërisin fjalët e qeverisë dhe ulin zërin e opozitës, zgjedhjet bëhen lojë me një lojtar. Televizioni publik u kthye në zgjatim të propagandës. Rrjetet sociale u dominuan nga fushata të sponsorizuara të partisë në pushtet, ndërsa mbikëqyrja ndaj dezinformimit ishte simbolike. Kur një pushtet kontrollon burimet e informacionit, ai kontrollon edhe perceptimin e zgjedhësit. Dhe kur kontrollon perceptimin, rezultati është i garantuar.
As teknologjia nuk mbeti jashtë skemës. Votimi dhe numërimi elektronik u testuan vetëm në zona të përzgjedhura, me akses të kufizuar publik, dhe pa auditim të pavarur. Votat e diasporës erdhën me vonesë, me dyshime, me pasiguri logjistike. Transparenca mungoi. Dhe kur transparenca mungon, abuzimi merr terren. Nuk kishte nevojë për falsifikim masiv. Mjafton të krijosh një sistem të paqartë, ku askush nuk ka siguri se çfarë ndodh realisht në prapaskenë.
Por më e rrezikshmja nga të gjitha ishte përdorimi i institucioneve si fasadë. Komisionet zgjedhore, parlamenti, gjykatat – të gjitha mbështetën formalisht procesin. Asnjëra nuk u bë pengesë reale për padrejtësinë. Sepse kur sistemi është i kapur, as rregullat nuk kanë më kuptim. Ato shërbejnë për të dhënë imazhin e një shteti funksional, ndërkohë që realiteti është tjetër: një pushtet që luan vetëm, fiton vetë dhe vendos vetë se çfarë është e drejtë.
Zgjedhjet shqiptare të vitit 2025 ishin shembulli perfekt i demokracisë iluzive. Të gjitha ndodhën sipas rregullave, por rregullat ishin të shkruara për t’i dhënë fitoren një force të vetme. Votimi u bë, por zgjedhësi nuk zgjodhi realisht. Ishte një teatër me rezultat të shkruar më parë. Dhe është ky lloj manipulimi që është më i rrezikshmi – jo ai që e prish dhunshëm procesin, por ai që e kontrollon aq mirë, saqë edhe vetë qytetarët fillojnë të mendojnë se e kanë pranuar si normale.
Në fund, pyetja që ngrihet është: a mund të ketë më demokraci, kur të gjitha instrumentet e saj janë kthyer në mjete të kontrollit? Dhe më shqetësuese akoma: a do të jetë kjo mënyra e re e të bërit zgjedhje në Shqipëri? Nëse po, atëherë çdo votë e ardhshme do të jetë vetëm një fletë për ta legjitimuar një sistem që nuk mund të ndryshohet më me votë. Dhe ky është fundi i kuptimit të vetë demokracisë.







