FLASH :

Modeli i ri i ndihmave është një shpërqendrim nga mizoritë – shefi i UNRWA kritikon SHBA dhe Izraelin pas tragjedisë në Rafah

Lazzarini paralajmëron: Gaza po ecën drejt urisë masive ndërsa ndihmat po përdoren politikisht

Në një deklaratë të ashpër që vjen pas skenave kaotike dhe të përgjakshme në një qendër ndihmash në Rafah, shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, e ka quajtur modelin e ri të ndihmave në Gaza, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, një “shpërqendrim nga mizoritë që po ndodhin në terren”.

Deklarata e tij u bë të mërkurën në Tokio, vetëm një ditë pasi të paktën tre palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në Rafah, gjatë shpërndarjes së ndihmave nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF) – një organizatë e re, e panjohur më parë, por e mbështetur nga SHBA dhe e miratuar nga Izraeli.

“Pamë pamje tronditëse të njerëzve të uritur që shtyhen pas gardheve. Ishte kaotike, e padenjë dhe e pasigurt”, deklaroi Lazzarini. “Ky model nuk është zgjidhje. Është humbje burimesh dhe shpërqendrim nga krimet që po ndodhin.”

Izraeli anashkalon OKB-në, ndihmat reduktohen

Sipas tij, modeli i ri anashkalon sistemin ekzistues të shpërndarjes së ndihmave – një rrjet prej 400 pikash të UNRWA-së në Gaza – për ta zëvendësuar me vetëm tre ose katër pika shpërndarjeje, të cilat shërbejnë më pak njerëz dhe i detyrojnë ata të zhvendosen me forcë për të marrë ndihmë.

“Është një mënyrë për të nxitur zhvendosjen e detyruar të popullsisë,” paralajmëroi Lazzarini.

Ndërkohë, Izraeli dhe GHF e kanë cilësuar shpërndarjen si “të suksesshme”, pavarësisht se ushtria izraelite ka pranuar se pati “humbje kontrolli momentale”. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se nga të shtënat janë plagosur të paktën 47 persona, kryesisht nga zjarri i ushtrisë izraelite.

Kritika ndaj SHBA-ve dhe përdorimit të ndihmave si armë politike

Ndërkombëtarisht, GHF është bojkotuar nga organizatat humanitare dhe OKB-ja, të cilat e akuzojnë për minimin e parimit të pavarësisë së ndihmës humanitare nga palët ndërluftuese. Modeli i ri, sipas tyre, i jep Izraelit kontrollin e shpërndarjes, duke e kthyer ndihmën në një instrument presioni dhe selektimi.

“Modeli i propozuar nga Izraeli nuk përputhet me parimet bazë të ndihmës humanitare,” u shpreh Lazzarini.

SHBA-të, mbështetësi më i madh i Izraelit në konflikt, janë vënë në qendër të kritikave jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por tani edhe për mbështetjen ndaj një modeli që, sipas organizatave humanitare, përdor urinë si mjet kontrolli.

Situata humanitare përkeqësohet, bombardimet vazhdojnë

Ndërkohë që ndihma humanitare vjen me pikatore, ofensiva izraelite vazhdon pa ndërprerje. Të mërkurën në mëngjes, të paktën 15 persona u vranë në sulme ajrore izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës, përfshirë dhe një goditje ndaj shtëpisë së gazetarit Osama al-Arbid.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga përfundimi i armëpushimit më 18 mars, janë vrarë 3,901 palestinezë, duke e çuar numrin total të viktimave të luftës në mbi 53,900 – shumica dërrmuese civilë.