FLASH :

Ngrihesh para kohe nga avioni? Në Turqi të gjobisin, në Shqipëri s’të thotë askush asgjë

Nëse Shqipëria do të zbatonte të njëjtin rregull si Turqia, ku pasagjerët që ngrihen në këmbë para se të fiket tabela e rripit të sigurimit ndëshkohen me gjobë, aeroportet tona do të mbusheshin përditë me fletë-ndëshkime.

Në Turqi, rreth 20 ditë më parë, Drejtoria e Aviacionit Civil miratoi një vendim të ri që penalizon me rreth 60 euro (2.600 lira turke) çdo pasagjer që ngrihet në këmbë, hap ndarjet e bagazheve ose zë korridorin para se avioni të ndalet plotësisht dhe tabela e rripit të sigurimit të jetë fikur. Vendimi i është komunikuar udhëtarëve me njoftime zyrtare në çdo avion.

Po sikur një rregull i tillë të zbatohej edhe në Shqipëri? Mjafton të hipësh në një avion që sapo ka zbritur në Rinas për të parë të njëjtën panoramë që herët a vonë ka bezdisur çdo pasagjer: sapo goma e avionit prek pistën, radhët e sediljeve shpërthejnë në këmbë. Disa hapin ndarjet sipër kokës, të tjerë zvarrisin çantat, ndërsa të gjithë tentojnë të “marrin radhën” duke krijuar konfuzion dhe duke shpërfillur rrezikun.

Ky veprim nuk është thjesht i bezdisshëm – është edhe i rrezikshëm. Shenja e rripit të sigurimit është një tregues sigurie: avioni është ende në lëvizje dhe çdo frenim i papritur mund të çojë në lëndime. Por për shumë udhëtarë shqiptarë, gara për të zbritur sa më parë ka më shumë vlerë sesa udhëtimi i sigurt.

Psikologët e kanë analizuar këtë sjellje si një efekt “instinktiv konkurrues”: një njeri ngrihet dhe të tjerët ndjekin, me frikën se po humbasin avantazhin ose duken “budallenj” duke qëndruar ulur.

Në mungesë të një rregulli të ngjashëm, kjo sjellje vijon çdo ditë në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë për ta frenuar.

Po të aplikohej gjoba turke në Shqipëri, sa veta do të ndëshkoheshin në një fluturim? Me shumë gjasa, mbi gjysma e pasagjerëve. Dhe nëse kjo do të ndodhte në çdo linjë të Air Albania, Wizz Air apo Ryanair që zbret në Rinas, bilanci mujor i gjobave do të tejkalonte të ardhurat e disa fluturimeve.

Për sigurinë në ajër nuk mjaftojnë vetëm pilotët e mirë – duhen edhe pasagjerë të ndërgjegjshëm. Dhe ndoshta, edhe pak ndëshkim ligjor për ata që nuk respektojnë rregullat më elementare.