FLASH :

Liderja e re të cilës Berisha ia ka vërtet frikën

Sulmi i Adriana Kalajës ndaj deputetes më të votuar të PD është vetëm hapi i parë i një skeme të njohur: Berisha tenton të mbajë partinë peng, duke goditur çdo zë që mund ta zëvendësojë. Sot ai ka një emër për ta ndalur: Jorida Tabaku!

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha është futur në një betejë me dy fronte: njëri brenda Partisë Demokratike, ku i druhet një lëvizjeje për zbatimin e statutit që kërkon dorëheqjen e tij si humbës, dhe tjetri jashtë partisë, për të justifikuar me akuza ndaj mazhorancës krizën e tij personale me drejtësinë. Në thelb, të dyja këto beteja kanë një objektiv të përbashkët: mbajtjen e Berishës në krye të PD-së me çdo kusht, qoftë edhe nëse partia digjet totalisht.

Fronti i brendshëm i sulmit është hapur së fundmi ndaj Jorida Tabakut, deputetja më e votuar e Partisë Demokratike, e cila është kthyer në simbol të atyre zërave që kërkojnë reformimin e PD-së dhe largimin e “kartave të djegura” që e kanë mbajtur peng për dekada.

Skenari është i vjetër: për të goditur një figurë të rrezikshme për pushtetin e tij, Sali Berisha përdor njerëzit më të zhurmshëm dhe të përkushtuar ndaj tij. Në këtë rast, Adriana Kalaja ka marrë rolin e “koburës së komanduar”. Në vend që të urojë kolegen më të votuar të PD-së për rezultatin, ajo është vënë në shërbim të një sulmi të ulët e të koordinuar, duke e akuzuar publikisht Tabakun si produkt të Edi Ramës dhe si “Suden e re” të politikës shqiptare.

Kjo nuk është vetëm e pavërtetë, por është gjuhë e strukturuar për denigrim politik, që synon të vrasë në embrion çdo përpjekje për reformim dhe ringritje të Partisë Demokratike pa Berishën në krye.

Tabaku fitoi bindshëm, me votë të pastër qytetare. Por kjo nuk mjafton për Berishën dhe grupin e tij të besuar “Noka–Vokshi–Paloka–Topalli”, që përmes manipulimeve të listave të hapura tentuan ta sabotonin. E megjithatë, as kjo nuk funksionoi.
Përballë kësaj, skenari kalon në planin e dytë: ta djegin figurën e saj publikisht, ta paraqesin si vegël të Edi Ramës dhe ta shpallin tradhtare të PD-së, që të frenojnë çdo lëvizje për dorëheqjen e Berishës dhe nisjen e reformimit të partisë nga brenda.

Për ironi të fatit, vetë figura e “Sudës”, që po përdor Kalaja kundër Tabakut, është një krijesë politike e vitit 1996, produkt i regjimit të Berishës dhe SHIK-ut të atëhershëm.
Ndërkohë, në atë kohë, Jorida Tabaku ishte një nxënëse 13-vjeçare.

Historia përsëritet, si hakmarrje politike.

Fakti që Berisha nuk reagoi menjëherë, por u shfaq disa ditë më pas për të bërë një deklaratë të vakët, ku tha se “nuk ka vend për akuza pa prova”, nuk është shenjë largpamësie, por strategji.
Ai nuk mund të ndëshkojë Kalanë, sepse ajo është pjesë e arsenalit të tij për të goditur çdo figurë që i merr oksigjenin në PD.

Berisha ka bërë këtë për 34 vite rresht.
Çdo figurë që ka dalë në horizont si reformuese, e ka goditur, denigruar dhe eliminuar me skenarë të ngjashëm.
Sot është radha e Tabakut.

Jorida Tabaku është sot zëri më i fortë që kërkon një PD ndryshe, një PD të lirë nga hijet, emrat e konsumuar dhe lidershipi që nuk fiton kurrë.
Për këtë, Berisha ka vendosur ta ndalë me çdo kusht, sepse e di që ajo nuk është më “një zë alternativ”, por është kërcënimi real për fundin e tij politik.