Një turiste britanike e zhdukur në mënyrë misterioze në Peru është gjetur, por mbetet duke fjetur në rrugë pas një përvoje traumatike që e ka lënë të tmerruar dhe të paaftë të besojë çdokënd që përpiqet ta ndihmojë.
Hannah Almond, 32 vjeç, kishte udhëtuar drejt Perusë për një retreat yoga për të “gjetur veten”, por përfundoi e grabitur, e sulmuar dhe pa strehë. Ajo u gjet e rrëzuar në trotuar nga një qytetar peruan që, pasi lexoi për rastin në MailOnline, udhëtoi drejt Cuzcos për ta kërkuar.
Megjithatë, Hannah refuzoi çdo ndihmë, pasi një gjendje psikoze e shkaktuar nga trauma e grabitjes e ka lënë të frikësuar nga kontaktet me njerëz apo autoritetet. Mbrëmjen e djeshme, një mikeshë e saj fluturoi me urgjencë nga Britania për ta bindur të pranojë ndihmën para se të zhduket sërish.


Pamje tronditëse të publikuara së fundmi tregojnë momentin kur Hannah sulmohet nga tregtarë rrugësh, të cilët, sipas dëshmitarëve, i dogjën sendet personale. Në videon 29-sekondëshe, të regjistruar më 22 maj, Hannah shihet duke bërtitur ndaj disa grave që po i shkatërronin kampin nën urën Belén, ku kishte jetuar për një muaj me një burrë të moshuar të pastrehë.
Miqtë e saj kanë nisur një fushatë ndihme në GoFundMe për të mbledhur fonde për kthimin e saj në Britani, duke përfshirë udhëtimin, strehimin dhe trajtimin mjekësor.
“U lehtësuam kur mësuam që ishte gjallë,” thotë një prej miqve. “Kur ndaloi së komunikuari, kishim frikë se ishte trafikuar dhe nuk do ta dëgjonim më kurrë.”
“Sapo doli lajmi në MailOnline, një djalë që e kishte njohur për katër ditë në Lima, mori avionin për në Cuzco dhe nisi të pyesë njerëzit rrugëve për të. E gjeti duke fjetur në rrugë.”
Në pamje, Hannah, e veshur me këmishë kuq e bardhë dhe pantallona gri, shihet duke u ndalur fillimisht nga policia, por më pas i afrohet disa grave me shkopinj, derisa ndërhyn një burrë tjetër për ta ndalur.

Sipas dëshmitarëve, tregtarët në rrugën Ejército e nxorën me forcë Hannah-n dhe burrin e moshuar, duke i kërcënuar me shkopinj dhe duke u djegur sendet.
“Askush nuk ia hapi derën. Vetëm i moshuari i ofroi strehë me aq sa kishte. Ajo nuk kishte as dikë që t’i jepte një gotë ujë,” tha një qytetar.
Që prej asaj dite, Hannah nuk është parë më.
Një tjetër mik shton: “Është shumë e vështirë ta shohësh kështu. Njerëzit nuk e kuptojnë çfarë thotë dhe mendojnë se po i ofendon. Por ajo është një shpirt i pastër, shumë bujare, gjithmonë e gatshme të ndihmojë të tjerët. Tani nuk ka më besim tek askush.”
Hannah kishte studiuar artet e bukura në Leeds Beckett University dhe kishte ëndërruar të punonte në industrinë e modës. Ajo mbërriti në Peru në mars për një retreat yoga.
Një mik tjetër tha se banorët vendas i kishin djegur sendet pasi nuk donin të pastrehët pranë bizneseve të tyre.
Historia e Hannah ka bërë bujë në mediat peruane. Konsulli britanik në Peru, Mark Atkinson, deklaroi se ajo kishte hyrë në vend si turiste në mars, por tani ka mbetur pa status ligjor pasi viza i ka skaduar.
“Ndodhet në një situatë të paligjshme,” tha ai për mediat. “Ambasada ka bashkëpunuar me policinë dhe i ka ofruar ndihmë direkte si strehim dhe ushqim, por ajo vazhdimisht kthehet te ura.”
Në faqen e mbledhjes së fondeve thuhet: “Hannah udhëtoi në Peru në kërkim të një aventure, por përfundoi në një situatë të frikshme dhe të dhimbshme. U grabit dhe u sulmua, duke humbur pasaportën, telefonin dhe të gjithë paratë. Gjendja e saj mendore është përkeqësuar shumë.”
“Megjithë përpjekjet zyrtare për ta ndihmuar, ajo nuk është në gjendje të pranojë ndihmën. Është jashtëzakonisht e pambrojtur dhe nuk është e sigurt në rrugët e Perusë. Hannah është një shpirt i mirë dhe i dashur. Duam ta kthejmë në shtëpi.”
Çdo vit mbi 100,000 britanikë udhëtojnë në Peru, kryesisht për të vizituar Cuzcon dhe Machu Picchun. Sipas këshillave të udhëtimit të FCO, disa turistë britanikë janë bërë objekt i grabitjeve të armatosura, veçanërisht në zonat e Cuzcos dhe Arequipas.