FLASH :

Trump përballet me një faturë prej 115 milionë dollarësh brenda 46 ditësh – a do ta shpëtojë politika biznesin e tij?

Ish-presidenti dhe aktualisht kandidati më i fuqishëm republikan, Donald Trump, duhet të shlyejë 115 milionë dollarë për një kredi ndaj një ndërtese të tij në Wall Street, përkatësisht në adresën ikonike 40 Wall Street, brenda 46 ditësh. Kjo shumë përbën një nga testet më të mëdha financiare për perandorinë e tij të pasurive të paluajtshme – dhe një tregues të rëndësishëm për ndikimin që ai vijon të ushtrojë politikisht dhe financiarisht.

Problemi nuk është vetëm në madhësinë e borxhit, por edhe në vlerën e diskutueshme të pronës. Trump është në kontroll të ndërtesës, por jo të tokës mbi të cilën ajo është ndërtuar – kjo i përket një familjeje gjermane. Aktualisht, qiraja vjetore për truallin është 2.5 milionë dollarë, por pritet të rritet në 16 milionë në vitin 2033, çka do ta zeronte fitimin operativ prej vetëm 9 milionë dollarësh që gjeneron aktualisht godina. Sipas Forbes, vlera aktuale e ndërtesës është rreth 85 milionë dollarë, rreth 30 milionë më pak se kredia që duhet të shlyhet.


Si mund të përballet Trump me këtë krizë?

Ka dy rrugë të mundshme:

  1. Të paguajë vetë shumën, duke përdorur pjesë nga 770 milionë dollarë në likuiditete që përllogariten në emrin e tij – shumica e të cilave e lidhur me investime në kriptovaluta dhe garanci për gjyqet që po përballet aktualisht. Trump ka afro 600 milionë dollarë detyrime ligjore dhe ka depozituar rreth 300 milionë si garanci, gjë që e kufizon manovrimin financiar.
  2. Të rifinancojë kredinë, ndonëse kjo është pak e besueshme nga bankat tradicionale, për shkak të mungesës së fitimit të ndërtesës. Megjithatë, mund të gjendet ndonjë huadhënës “jotradicional” – ndoshta me motivim politik apo për të fituar ndikim te presidenti.

Një histori e përsëritur mashtrimesh financiare?

40 Wall Street nuk është hera e parë që i sjell kokëçarje Trump-it. Gjatë krizës financiare të vitit 2008, ai u përball me probleme likuiditeti dhe u përpoq të shmangte një pagesë prej 5 milionë dollarësh ndaj Capital One. Kur ata refuzuan ta ristrukturonin kredinë, Trump iu drejtua Ladder Capital, ku punonte djali i shefit të financave të Organizatës Trump, Allen Weisselberg. Kjo kompani e miratoi kredinë pavarësisht rrezikut nga kontrata e qirasë së truallit.


A do të shpëtohet nga politika?

Trump ka shlyer mbi 10 kredi në dekadën e fundit, shumicën përpara afatit. Por me afatin që afrohet për këtë kredi kolosale dhe pa përgjigje zyrtare nga Organizata Trump, dilema mbetet: A do të vijë shpëtimi nga pasuritë e veta, nga ndonjë “aleat besnik”, apo nga fuqia politike që ushtron tashmë si president në detyrë?

Tashmë që është kthyer në pushtet, shumë donatorë të fuqishëm, kompani dhe shtete mund të jenë të gatshëm ta ndihmojnë – jo për të shpëtuar ndërtesën, por për të siguruar favore më të mëdha në të ardhmen.

Kjo situatë do të shërbejë si lakmus për fuqinë reale financiare të Trump, por edhe për ndikimin që politika vazhdon të ketë në shpëtimin e bizneseve të tij problematike.