FLASH :

Makabër në Brazil: Ish-burri filmohet duke hedhur trupin e ish-bashkëshortes në lumë të mbushur me piranja

Një ngjarje tronditëse ka tronditur Brazilin, pasi një burrë u kap nga kamerat teksa mbështillte me çarçaf trupin e pajetë të ish-bashkëshortes së tij dhe e fuste në bagazhin e makinës, për ta hedhur më pas në lumin Tietê, i njohur për praninë e peshqve piranja.

Carlos Eduardo de Souza Ribeiro, 35 vjeç, ka rrëfyer krimin e rëndë, duke pranuar se më 19 maj kishte mbytur Amanda Caroline de Almeida, 31 vjeçe, pasi ajo kishte refuzuar të rikthehej tek ai pas ndarjes së tyre dy muaj më parë. Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë Ribeiro dhe vëllain e tij, duke transportuar trupin e viktimës dhe duke e futur në automjet para se të niseshin drejt lumit për ta zhdukur.

Policia braziliane ka arrestuar Ribeiro më 21 maj dhe një ditë më vonë edhe vëllain e tij, 38 vjeç, i cili nuk është identifikuar publikisht. Të dy po përballen me akuza për femicid dhe fshehje të një trupi.


Një histori dhune e përsëritur

Sipas raportimeve nga mediat lokale, vetëm gjashtë javë përpara vrasjes, Amanda kishte pësuar një rrahje brutale nga Ribeiro për shkak se kishte vendosur ta linte. Edhe pse e dhunuar, ajo nuk kishte denoncuar ngjarjen, për të mos traumatizuar më tej tre fëmijët e saj, të moshës 17, 7 dhe 5 vjeç, të cilët tani janë në kujdesin e familjes.

Mbrëmjen e vrasjes, Amanda po kthehej në shtëpi pas një daljeje, kur pa makinën e ish-bashkëshortit pranë shtëpisë. Ajo kërkoi që të zbriste më larg, me shpresën se ai do të largohej. Fatkeqësisht, ajo nuk u pa më e gjallë.


Trupi ende i pazbuluar

Trupi i Amanda-s nuk është gjetur ende nga autoritetet. Lumi Tietê, me ujëra të ndotura dhe të rrezikshëm, është famëkeq për sulmet nga peshq piranja. Vetëm disa muaj më parë, 15 notarë kishin dalë prej tij të mbuluar në gjak pas një sulmi të tillë.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje plagën e hapur të dhunës ndaj grave në Brazil, një fenomen i përhapur që vazhdon të marrë jetë. Statistikat kombëtare që nga viti 2021 tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve të dhunës në familje dhe vrasjeve me bazë gjinore.

Përballë kësaj situate, qeveria braziliane ndërmori një hap të rëndësishëm në vitin 2024 duke e përjashtuar dhunën në familje nga rregullat e konventës së Hagës për riatdhesimin, me qëllim mbrojtjen e grave dhe fëmijëve viktima të abuzimeve.