Edhe pse pas hekurave, Erion Veliaj duket se nuk e ka ndalur dorën e vet shkatërrimtare ndaj identitetit historik dhe arkitekturor të Tiranës. Projekti më i fundit i promovuar nga bashkia, “Tirana Moons” i arkitektit austriak Chris Precht, do të vendoset në Sheshin “Nënë Tereza”, pikërisht përpara Universitetit Politeknik të Tiranës — një ndër godinat më të bukura dhe me rëndësi arkitektonike të periudhës së ndërtimit italian në Shqipëri gjatë viteve ’30.
Ky instalacion i reklamuar si një “oaz i gjelbër kushtuar librit”, në fakt i zë të gjithë pamjen hyrëse Politeknikut, duke “zhdukur” vizualisht një nga kryeveprat urbanistike të kryeqytetit. Me një arrogancë të përsëritur, projekti prezantohet si zhvillim miqësor me mjedisin dhe “xhevahir” arkitekturor, ndërkohë që në realitet shkel pa mëshirë mbi trashëgiminë historike dhe estetike të Tiranës.
Nga Veliaj kemi parë ndër vite transformime që shkojnë përtej urbanistikës — janë ndërhyrje që tentojnë të zhbëjnë kujtesën historike të qytetit. Dhe tani, edhe i burgosur, ai vijon të lërë pas projekte që dëmtojnë pandalshëm qytetin, kulturën dhe arkitekturën e tij. Godinat historike nuk janë pengesë për zhvillim, por pjesë e shpirtit të një qyteti që meriton më shumë se propagandë dhe beton artistik.













