Auron Tare, vëllai i Igli Tares që u emërua drejtor sportiv i Milanit, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me mesazhet e urimit ndaj tij nga ana e politikës dhe sportit shqiptar.
“Na kurseni hipokrizitë”, shkroi ai krahas postimit, duke hedhur akuza se Shqipëria nuk e angazhoi Igli Taren në asnjë projekt sportiv.
Pas lajmit për kalimin e Igli Tares në një rol drejtues te klubi italian Milan, kryeministri Edi Rama nuk ngurroi ta uronte publikisht, duke e cilësuar këtë si një arritje të madhe për një shqiptar në sportin ndërkombëtar.Por urimi i Ramës nuk ka kaluar pa reagim. Auron Tare, vëllai i ish-drejtorit sportiv të Lazios, reagoi në rrjetet sociale duke e quajtur deklaratën e Ramës hipokrite.Ndërsa shtoi: “Shqipëria Futbollistike dhe ajo Politike nuk patën ndonjë deshirë apo vullnet që ish Drejtorin e Lacios ta përfshinin apo angazhonin ndonjë projekt sportiv për të mirën e vendit. Prandaj urime Iglit dhe na kurseni hipokrizitë shqiptare please.”
Postimi i plotë:
Duke Falenderuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit e Iglit, të Babait dhe të mitë të cilët kanë dërguar mesazhe urimesh dhe mbështetje për një sprovë shumë të madhe që një shqiptar do të ndërmarrë në arenën botërore të Futbollit, më duhet ti them edhe dy fjalë si një njeri që nuk e njeh futbollin dhe atë Italian në vecanti. Si një shqiptar ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që kanë shkruar që nga Zelanda e Re, Alaska, Kalifornia apo ndonje fshat i thellë këtu në Shqipëri edhe une jam shumë krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierën e tij personale. Suksesi i Iglit duhet të frymëzojë cdo shqiptar që vendos të provojë veten dhe fatin e tij në botën e madhe ku sot jetojmë apo kontribuojmë. Urimet e sinqerta të shumë shqiptarëve i vleresoj shumë si një mbështetje me të vërtetë e sinqertë. Por më duhet të them se sot në mëngjez lexova edhe disa urime thellësisht hipokrite. Shqipëria Futbollistike dhe ajo Politike nuk patën ndonjë deshirë apo vullnet që ish Drejtorin e Lacios ta përfshinin apo angazhonin ndonjë projekt sportiv për të mirën e vendit. Prandaj urime Iglit dhe na kurseni hipokrizitë shqiptare please.







