FLASH :

Brescia/ Sekuestro rekord droge në Itali: Arrestohet shqiptari, kapen 126 kg kokainë me vlerë 14 milionë euro

Një shqiptar është arrestuar nga Guardia di Finanza në Brescia të Italisë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar sasi të konsiderueshme kokaine në një banesë që shërbente si magazinë për lëndën narkotike.

Sipas mediave italiane, shqiptari kishte rolin e kujdestarit të banesës dhe ishte nën vëzhgim prej kohësh nga autoritetet. Ai u vu në pranga në momentin që po hynte në shtëpi me dy çanta që përmbanin drogë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës, u sekuestruan 109 blloqe kokaine, me një peshë totale mbi 126 kilogramë, si dhe materiale për paketimin e drogës dhe shuma parash të gatshme, që dyshohen të jenë të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Vlera e drogës së sekuestruar në treg arrin në 14 milionë euro.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët, përfshirë furnizuesit dhe rrjetin e shpërndarësve të drogës.