Zbulimi befasues: Dhëmbët tanë të ndjeshëm vijnë nga “koraca” e peshqve të lashtë

Dhëmbët e ndjeshëm të njeriut kanë rrënjë që shtrihen 465 milionë vjet më parë, sipas një studimi të publikuar së fundmi në revistën Nature. Sipas shkencëtarëve, indet ndijore që ndihmojnë sot në ndjeshmërinë e dhëmbëve fillimisht u shfaqën në ekzoskeletin e peshqve të zhdukur, duke u përdorur për të ndjerë mjedisin përreth.

Studiuesit, përfshirë paleontologen Yara Haridy nga Universiteti i Çikagos, analizuan fosile të lashta për të gjurmuar evolucionin e dhëmbëve dhe zbuluan se i njëjti “mjet gjenetik” që prodhon dentinën – një ind që gjendet nën smaltin e dhëmbëve – ishte aktiv edhe te organizmat e lashtë pa nofulla.

Zbulimi u bë përmes analizës së një specieje të quajtur anatolepis heintzi, për të cilën fillimisht besohej se ishte peshku më i hershëm vertebror. Por rezultatet treguan se ajo ishte një artropod i lashtë me struktura ndijore në koracë, e jo një vertebror. Kjo zbuloi se indet ndijore, që më vonë u bënë pjesë e dhëmbëve, e kanë origjinën jashtë gojës.

Ky zbulim hedh dritë mbi arsyen pse dhëmbët tanë janë kaq të ndjeshëm sot: ato mbartin trashëgiminë e një funksioni të lashtë ndijor, i cili shërbente dikur për të ndjerë botën përreth nga sipërfaqja e trupit.