Një përplasje e pazakontë ka shpërthyer mes dy komuniteteve të vogla në Angli, të cilat po zihen jo për të ndaluar një ndërtim të madh – por për ta pasur atë brenda kufijve të tyre.
Bëhet fjalë për një projekt që parashikon ndërtimin e 2,000 banesave në bazën ushtarake Robertson Barracks në Norfolk – një vend historik prej 400 hektarësh, ku dikur u takuan Winston Churchill dhe gjenerali Eisenhower gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por ndërsa zona ku do ndërtohen shumica e shtëpive ndodhet në kufirin mes fshatrave Swanton Morley dhe Hoe & Worthing, të dy komunitetet po pretendojnë se ndërtimi duhet t’i përkasë juridikisht atyre. Arsyeja? Të ardhurat që do vijnë nga taksa e banesës (council tax) dhe investimet infrastrukturore që do shoqërojnë ndërtimin.
Swanton Morley, me një popullsi prej rreth 2,300 banorësh, kërkon që gjithë territori i bazës të kalojë në administrimin e saj. Por fqinji i vogël me vetëm 300 banorë, Hoe & Worthing, e ka cilësuar këtë një “rrëmbim toke” të pastër.


Tensionet u përshkallëzuan gjatë një mbledhjeje të këshillit të zonës Breckland më 15 maj, ku kryetari i këshillit të Swanton Morley-t, Roger Atterwill, paraqiti propozimin për ndryshimin e kufirit mes fshatrave. Ai argumentoi se vendi i tij ka kapacitet më të madh për të përballuar ngarkesën e ndërtimit dhe për të menaxhuar fondet.
Por Celia Daniel, kryetare e mbledhjes së komunitetit Hoe & Worthing, kundërshtoi ashpër duke thënë: “Kjo është moralisht e gabuar. Nuk ka pasur asnjë konsultim dhe kjo është një përpjekje për të zhbërë fshatin tonë.”


Fermeri lokal Michael Goff shtoi: “Në thelb, kjo është një grabitje. Do na kthejnë në një copë toke pa kuptim, si një hënë në hartë.”
Sipas Atterwill, Swanton Morley ka një plan zhvillimi lokal, me buxhet prej 98,000 paundësh në vit, krahasuar me vetëm 1,800 paund që administron Hoe & Worthing. Ai theksoi gjithashtu se fshati i tij ka infrastrukturë, shkollë dhe qendër mjekësore, ndërsa fshati rival “ka vetëm disa kazanë për qentë dhe tabela njoftimi”.
Ai gjithashtu zbuloi se Swanton Morley dëshiron të shndërrojë kullën e kontrollit ajror të bazës – e klasifikuar si monument historik – në një muze, për të ruajtur trashëgiminë e saj nga Lufta e Dytë Botërore. Pikërisht nga kjo bazë, më 4 korrik 1942, Churchill dhe Eisenhower panë ngjitjen në ajër të skuadrave të para të përbashkëta britanike dhe amerikane në një mision bombardues mbi fushat ajrore gjermane në Hollandën e pushtuar.


Baza ushtarake u dorëzua nga RAF tek ushtria në vitin 1995 dhe pritet të mbyllet në vitin 2031, me trupat që do zhvendosen në Uells. Zona është parashikuar për zhvillim në kuadër të planit 20-vjeçar të Këshillit të Qarkut Breckland për ndërtimin e 16,500 shtëpive.
Ndërkohë, banorët lokalë po ndjekin me habi këtë përplasje mes dy fshatrave modestë, që zakonisht do ishin kundër çdo lloj zgjerimi urban. Një banor tha me ironi: “Nuk është Davidi kundër Goliatit, është Davidi kundër Davidit.” Ndërsa një tjetër shtoi: “Kjo nuk është NIMBY (Not In My Back Yard) – por është DIMBY: Definitely In My Back Yard!”