Avokatët e Sean ‘Diddy’ Combs kanë kërkuar nga gjykata të shpallë të pavlefshme një dëshmi tronditëse të reperit Kid Cudi, i cili deklaroi se makina e tij luksoze u hodh në erë pasi Diddy zbuloi lidhjen e tij me këngëtaren Cassie Ventura.
Në gjyqin për trafikim seksual dhe akuza të tjera të rënda ndaj Diddy-t, Kid Cudi (emri i vërtetë Scott Mescudi) dëshmoi se Porsche-ja e tij prej 140 mijë dollarësh shpërtheu në flakë menjëherë pasi i dha fund marrëdhënies me Cassie, për shkak se “e dinte që Diddy ishte i rrezikshëm.” Reperi pohoi se më parë Diddy kishte hyrë pa leje në shtëpinë e tij, dhe më pas, më 9 janar 2012, në orën 06:30 të mëngjesit, ai mori një telefonatë nga kujdestari i qenit që e lajmëroi për zjarrin.
Fotot e paraqitura në gjykatë tregojnë dëmet e mëdha në makinë, me ulëset e kuqe të djegura dhe çatinë e grisur. Një raport i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit e konfirmon se shpërthimi u shkaktua nga një “pajisje ndezëse” dhe se zjarri ishte i qëllimshëm.
Cassie Ventura, e cila ka dëshmuar gjithashtu në gjyq, tha se Diddy i kishte bërë kërcënime të drejtpërdrejta pasi kishte zbuluar lidhjen e saj me Mescudi. “Tha se do të na lëndonte të dyve,” dëshmoi Ventura, e cila shtoi se e kishte përfunduar lidhjen gjatë Krishtlindjeve të 2011 në Connecticut, për shkak të frikës për sigurinë e tyre.
Avokatët e Diddy-t i kanë cilësuar deklaratat e Kid Cudit si “spekulative” dhe “të papranueshme”, duke i kërkuar gjykatës t’i fshijë nga procesverbali. Në një letër 7-faqëshe drejtuar gjykatës, ata theksojnë se dëshmitari nuk kishte prova që Diddy ose ndonjë nga njerëzit e tij ishte fizikisht i pranishëm ditën e sulmit, dhe se pretendimi i tij se “Diddy po gënjente” është një opinion personal dhe jo fakt ligjor.
Gjykata ende nuk ka marrë një vendim për këtë kërkesë, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Diddy-t vazhdon mes akuzave për trafikim seksual, dhunë dhe veprime mafioze.











