Një 60-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Durrës, pasi rezulton i dënuar nga autoritetet italiane me 5 vjet e 10 muaj burg për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ai është shpallur fajtor për abuzim seksual me një të mitur, vepër e rëndë penale që ka ngjallur reagime të forta publike në vendin fqinj.
Policia e Durrësit ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen e personave në kërkim dhe pritet që autoritetet shqiptare të procedojnë me hapat ligjorë për ekstradimin e tij në Itali.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për gjurmimin për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, siguruan informacion për vendndodhjen e një të kërkuari nga drejtësia italiane. Bazuar në informacionin e marrë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 46”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i shtetasit N.Ll, 60 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 23.05.2025 nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur” (me vajzën e tij), ngjarje e ndodhur në komunën Noceto, Itali.
Vijon puna për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.







