Ishte menduar si një ekskursion i zakonshëm për shtëpiake, por u kthye në një makth të vërtetë.
Sot bëhen plot 50 vjet nga tragjedia më e rëndë rrugore në historinë britanike, ku një autobus plot me pasagjerë doli nga rruga dhe ra nga “Ura e Djallit” në Yorkshire Dales, pasi i dështuan frenat. Në aksident humbën jetën 32 gra dhe drejtuesi i mjetit, ndërsa 13 të tjerë mbetën të plagosur.

Autobusi, një model Bedford VAM5 i vitit 1967, drejtohej nga kompania Riley’s Luxury Coaches dhe po transportonte një grup mikeshash e fqinjësh nga qyteti i Thornaby drejt Grassington. Mes tyre ishte edhe organizatorja e udhëtimit, zonja Dorothy White, nënkryetarja e bashkisë së Thornaby. Ato kishin paguar vetëm 2.50 paund për këtë ditë dhe kishin marrë me vete drekë të përgatitur nga shtëpia, ndërsa planifikonin të mbyllnin ditën me një çaj tradicional britanik.
Aksidenti ndodhi pasditen e 27 majit 1975, rreth orës 16:00. Teksa autobusi zbriste një rrugë të pjerrët prej 1.400 metrash pranë fshatit Pateley Bridge, shoferi Roger Marriott, 35 vjeç, e kuptoi se frenat nuk funksiononin. Pavarësisht përpjekjeve për të frenuar, frenat u nxehën dhe dështuan plotësisht. Autobusi përfitoi shpejtësi të madhe dhe nuk arriti të marrë kthesën e mprehtë pranë urës. Ai theu parmakët e urës dhe ra nga një lartësi prej 6 metrash në kopshtin e një shtëpie, duke përfunduar përmbys.


Goditja ishte aq e fortë, saç çatia e mjetit u shtyp deri në 90 centimetra nga shasia. Disa pasagjerë u hodhën jashtë, ndërsa të tjerët mbetën të bllokuar. Zjarrfikësit u detyruan të presin pjesë të autobusit për të shpëtuar të mbijetuarit dhe për të nxjerrë trupat e pajetë. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin Airedale në qytetin Keighley, ku mjekë e infermierë dolën vullnetarë për të ndihmuar në trajtimin e tyre.
Vetë shoferi Marriott i mbijetoi përplasjes fillestare, por ndërroi jetë i bllokuar mes hekurave të shkatërruar. Një dëshmitare, Elsie Townsend, e cila ndodhej në zonë me familjen, rrëfeu për Daily Mail: “E pashë të mbërthyer në pjesën e përparme, i mbuluar me gjak, vaj dhe copëza xhami. I mbaja dorën dhe po i flisja… kur e ndjeva që trupi iu ftoh dhe ngjyra iu zhduk nga fytyra. Mjeku më tha se nuk kishte më çfarë të bënte. Ai ndërroi jetë aty”.
Ndër të mbijetuarat ishte edhe Margaret Robinson, 35 vjeç në atë kohë, e cila udhëtonte me nënën. “Autobusi po zbriste me shpejtësi të çmendur dhe e ndjeja që do ndodhte diçka e keqe. U përmbysëm dhe ndjemë sediljet të na shtypnin këmbët”, kujton ajo. Të tjera të mbijetuara, si Mary Booth dhe Madeline Pratt, gjithashtu mbajnë mend momente të dhimbshme nga ngjarja. Madeline, vetëm 17 vjeçe, ishte duke u përgatitur për provimet A-level dhe kishte shkuar në udhëtim për t’u çlodhur bashkë me nënën e saj – e cila nuk ia doli të mbijetonte.


Sot, në përkujtim të viktimave, mbahet një shërbesë përkujtimore në Thornaby, e udhëhequr nga Peshkopi i Whitby-t, Barry Hill. Në vitin 2022, në qendër të qytetit u vendos një memorial prej katër tonësh gur, në nder të jetëve të humbura.
Tragjedia mori më shumë peshë kur u zbulua se një aksident pothuaj identik kishte ndodhur në të njëjtin vend në vitin 1925, kur një tjetër autobus me zyrtarë të Këshillit Bashkiak të York-ut ra në të njëjtën humnerë. Edhe atëherë, arsyeja ishin frenat që kishin “djegur”.
Aksidenti i Dibbles Bridge mbetet ende sot e kësaj dite kujtimi më i dhimbshëm i një katastrofe rrugore në Britani – një ngjarje që ndryshoi përgjithmonë mënyrën si trajtohen siguria dhe mirëmbajtja e mjeteve transportuese në vend.