Emmanuel Macron dukej “i zemëruar dhe i tensionuar” pasi u shty në fytyrë nga bashkëshortja e tij Brigitte, në një incident “tronditës” që ndodhi para mediave botërore, ka zbuluar një eksperte e gjuhës së trupit.
Presidenti francez u duk se mblodhi grusht një nga duart teksa zbriste në pistën e aeroportit në Vietnam pas mbërritjes në vend të dielën në mbrëmje, vuri në dukje ekspertja Judi James.
Duke folur sot për gazetarët në Hanoi, Macron tha se incidenti ishte ekzagjeruar, duke këmbëngulur: “Po grindesha, ose më mirë po bëja shaka me gruan time. S’është gjë.”
Por James i tha MailOnline se ndërveprimi ishte shumë larg një momenti “lozor” apo shakaje mes një çifti, siç kishte tentuar ta paraqiste Macron dhe rrethi i tij i afërt.
“Unë nuk do ta përshkruaja gjestin që pamë nga brenda avionit si lojë, siç është pretenduar,” tha ajo.


“Të shtysh partnerin në fytyrë me dorë aq fort sa t’i lëkundet koka dhe të duhet të mbështetet për të ruajtur ekuilibrin, veçanërisht me atë që duket si një ‘shtytje’ shtesë në fund të kontaktit, nuk duhet të normalizohet duke e quajtur ‘argëtim’, vetëm për të ruajtur fytyrën politike.”
Më herët të hënën, një zyrtar i Elizesë tha për videon: “Ishte një moment ku presidenti dhe gruaja e tij po relaksoheshin për herë të fundit përpara nisjes së udhëtimit, duke qeshur… ishte një moment afërsie.”

Brigitte Macron ishte një 39-vjeçare e martuar dhe nënë e tre fëmijëve kur u njoh me Emmanuel-in 15-vjeçar në vitin 1993, teksa punonte si mësuese e tij dhe mbikëqyrëse e klubit të dramës në shkollën e mesme.
Ai u transferua në Paris për vitin e fundit të shkollës, por i premtoi se do ta martonte. Më pas ajo u zhvendos në kryeqytetin francez për t’iu bashkuar dhe u divorcua, përpara se të martoheshin në vitin 2007.
Pamjet që tregojnë përplasjen në avion u quajtën fillimisht të pavërteta nga zyra e Macron, por më pas u konfirmuan si të vërteta.
Një bashkëpunëtor i afërt e minimizoi incidentin si një ‘zenkë e padëmshme’ mes një çifti.

Në videon e regjistruar nga agjencia Associated Press, duken krahët e Brigitte-s që shfaqen nga e majta e derës së avionit, teksa i vendos të dyja duart në fytyrën e burrit të saj dhe e shtyn.
Presidenti duket i befasuar, por shpejt përmblidhet dhe përshëndet me dorë. Ajo qëndron e fshehur pas trupit të avionit, duke e bërë të pamundur të shihet shprehja e saj apo gjuha e trupit.
Më pas çifti zbret shkallët për pritjen zyrtare nga zyrtarët vietnamezë, megjithatë Brigitte Macron nuk e pranon krahun e ofruar nga bashkëshorti.
Macron shihet më pas me grusht të shtrënguar teksa largohen nga pista.
Duke analizuar pamjet, Judi James tha: “Kjo me siguri do të kthehet në një ‘shaka’ nga disa, por unë do ta quaja vërtet tronditëse dhe do të thoja të njëjtën gjë edhe nëse do ishte ndonjë çift tjetër që ecte në rrugë, pavarësisht se kush e bëri gjestin ndaj kujt.”
Ajo theksoi se pretendimet se çifti po “bëhej qejf” nuk përputhen me gjuhën e trupit të tyre.
“Nuk ka të qeshura të përbashkëta, buzëqeshje apo rituale lozonjare pas ngjarjes. Macron bën një përshëndetje ‘sa për sy e faqe’ dhe më pas kthehet drejt gruas së tij, por duket se prek fytyrën – si për ta kontrolluar,” tha ajo.

“Nëse do të ishte dora e tij në fytyrën e saj, a do quhej ‘lojë’? Atëherë nuk duhet të quhet as nga ajo ndaj tij.
Pamjet nuk janë plotësisht të qarta, por duket se përfshihen të dyja duart, gjë që mund të kishte bërë që ai të humbte ekuilibrin.
Duket se ai i zgjat dorën asaj ndërsa zbresin shkallët, por ecin pa asnjë prekje tjetër dhe një nga duart e tij duket si e shtrënguar në grusht, gjë që tregon zemërim ose tension.
Më vonë, gjatë vizitës zyrtare, çifti duket se rikthehet te ritualet e zakonshme të kontaktit të këndshëm, me Macron që i jep dorën për ta ndihmuar Brigitte-n të zbresë disa shkallë.
James shtoi se, me një vizitë të afërt në Britani në kalendar, Macron dhe bashkëshortja do duhet të jenë të vetëdijshëm për “analizën e gjuhës së trupit që ajo vizitë do të shkaktojë”.
Incidenti nxiti reagime në rrethin e ngushtë të Macron, me një burim që tha: “Ishte një moment ku presidenti dhe gruaja e tij po çliroheshin para nisjes së udhëtimit, duke bërë shaka.
“Nuk duhej shumë që mullinjtë e teorive konspirative të viheshin në lëvizje,” shtuan ata, duke fajësuar llogaritë pro-ruse për komentet negative mbi incidentin.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjet, sidomos nga llogari të njohura për armiqësi ndaj presidentit francez.

Macron paralajmëroi se kjo nuk ishte hera e parë në javët e fundit që përmbajtja e videove të tij është keqinterpretuar nga njerëz që i quajti “të krisur”.
Më herët këtë muaj, Franca mohoi me forcë një pretendim të rremë se Presidenti Macron kishte fshehur një qese me kokainë ndërsa pozonte për një fotografi me Keir Starmer dhe Friedrich Merz të Gjermanisë.
Treshja u takua të premten në një tren nga Polonia për në Ukrainë për të vizituar presidentin Volodymyr Zelensky dhe për të shtuar presionin ndaj Rusisë për një armëpushim.
Llogaritë pro-ruse u ngutën të përhapin teori të egra konspirative se një objekt i bardhë mbi tryezë ishte drogë, por qeveria franceze sqaroi menjëherë se bëhej fjalë për një faculetë.

Vizita e Macron në Vietnam dhe axhenda gjeopolitike
Vizita e Macron në Vietnam, e para nga një president francez në pothuajse një dekadë, synon të forcojë ndikimin e Francës në ish-koloninë e saj.
Vietnami, me një ekonomi të orientuar drejt eksportit, ka bërë lëshime ndaj SHBA-së në bisedimet tregtare për të shmangur tarifat 46%.
Por Brukseli ka shqetësime se përpjekjet e Vietnamit për të blerë më shumë mallra amerikane mund të jenë në dëm të interesave evropiane.
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të premten me vendosjen e tarifave 50% ndaj importeve nga Bashkimi Europian, por e zbuti qëndrimin dy ditë më vonë, duke rikthyer afatin e 9 korrikut për bisedimet SHBA-BE.

Vietnam është ndalesa e parë e një turi afro njëjavor të Macron në Azinë Juglindore, ku ai do të paraqesë Francën si një alternativë të besueshme ndaj SHBA-së dhe Kinës.
Ai do të vizitojë gjithashtu Indonezinë dhe Singaporin.
Duke folur në ditën e parë të turit, Macron bëri thirrje për ruajtjen e një rendi botëror “të bazuar në ligj”.
Gjatë një deklarate për shtyp përkrah homologut të tij vietnamez Luong Cuong në Hanoi, ai theksoi nevojën për një rend ndërkombëtar të rregulluar, “në një kohë të pasigurisë dhe rikthimit të retorikës së fuqisë”.
Macron nënshkroi mbi një duzinë marrëveshjesh për mbrojtje, energji bërthamore dhe tregti, përfshirë një marrëveshje mes kompanisë ajrore VietJet dhe Airbus për blerjen e 20 avionëve A330-900.
Ai bëri homazhe në një memorial lufte në Hanoi për ata që luftuan kundër kolonizatorëve francezë dhe u takua me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste To Lam.
Macron vizitoi gjithashtu Tempullin e Letërsisë të shekullit XI në zemër të kryeqytetit vietnamez.

Sipas tij, “partneriteti i sovranitetit” mes Francës dhe Vietnamit mund të jetë boshti qendror i qasjes franceze në Indo-Paqësor.
Franca ka treguar “dëshirën për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare detare” kur dërgoi grupin e anijeve luftarake në Detin e Kinës Jugore në fillim të vitit 2025.
Franca do ta ndihmojë gjithashtu Vietnamin në sektorë kyç si mineralet kritike, hekurudhat me shpejtësi të lartë, energjia bërthamore civile dhe industria ajrore, duke ndihmuar vendin të largohet nga qymyri dhe të kalojë në energji të rinovueshme dhe bërthamore.
Kjo është vizita e parë e Macron në Vietnam që nga marrja e detyrës në vitin 2017.
Franca dhe Vietnami ndajnë një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” – statusi më i lartë diplomatik i Vietnamit, që e ndan vetëm me Rusinë, Kinën dhe SHBA-në.







