Shqipëria po ngjitet me shpejtësi në listën e destinacioneve më të preferuara për pushime verore, veçanërisht për turistët irlandezë. E përditshmja irlandeze “RSVP Live” e ka krahasuar Rivierën Shqiptare me vetë Maldivet, por me një ndryshim të madh: çmimet shumë më të ulëta dhe më pak turma.
Sipas artikullit, ndërsa Maldivet mbeten një ëndërr e shtrenjtë për shumëkënd – me çmime që kapin mbi 2300 euro për një javë qëndrimi për dy persona, pa përfshirë fluturimet – Shqipëria ofron një alternativë spektakolare dhe të përballueshme shumë më afër Irlandës.
Plazhe të mrekullueshme dhe kosto të ulëta
Me plazhe mahnitëse me rërë të bardhë dhe ujëra bruz të kristaltë, bregdeti shqiptar ofron një eksperiencë që rivalizon vendet ekzotike. Riviera Shqiptare, nga Dhërmiu në Ksamil, mbetet ende një perlë e fshehur pa fluksin e madh të turistëve që karakterizon vende si Greqia apo Italia.
Qëndrimet luksoze buzë detit kushtojnë deri në 23 euro nata, ndërsa një vakt i plotë me pije mund të gjendet për rreth 18 euro. Kjo e bën Shqipërinë jo vetëm të bukur, por edhe tepër miqësore me buxhetin.
Viral në rrjetet sociale dhe fluturime të lira
Në rrjetet sociale, Shqipëria është kthyer në një sensacion: video virale tregojnë pamje të peizazheve shqiptare që ngatërrohen lehtësisht me ato të Maldiveve. Turistët shpërndajnë përvojat e tyre dhe sugjerojnë destinacionin si “zbulimi i verës”.
Aktualisht nuk ka fluturime direkte nga Dublini në Tiranë, por linja si “Lufthansa”, “Brussels Airlines” dhe “Swiss” ofrojnë itinerare me një ndalesë, me çmime që nisin nga 142 euro vajtje-ardhje. Një alternativë tjetër ekonomike është udhëtimi drejt Korfuzit dhe më pas kalimi me traget për në Shqipëri – një opsion që kushton vetëm 18 euro në secilin drejtim.
Destinacioni ideal i verës 2025
Me natyrë të virgjër, çmime konkurruese dhe përvojë autentike mesdhetare, Shqipëria është shpallur nga media irlandeze si një nga vendet më të mira për pushime verore për vitin 2025. Ajo jo vetëm që ofron pamje të mrekullueshme dhe qetësi, por është edhe një zgjedhje e zgjuar për turistët që kërkojnë më shumë për më pak para.