Ditën e enjte do të rikthehen seancat plenare të Kuvendit që është ende në fuqi, deri sa në shtator të konstituohet Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, ku Partia Socialiste fitoi bindshëm ndaj asaj demokratike, me më shumë se 300 mijë vota diferencë.
Në këtë seancë pritet që përfaqësuesit e partisë rozë të rikthehen triumfatorë, duke ditur së në kuvendin e ardhshëm, do të kenë plot 9 deputetë më shumë, pa llogaritur 3 deputetët e aleatit Tom Doshi.
Edi Ramës i funksionoi krijimi i shumë partive paterica brenda kampit të opozitës, si ajo e Lulzim Bashës, e Dashamir Shehit, Enkelejd Alibeajt, Endrit Shabanit dhe Adriatik Lapajt, të cilat e fragmentarizuan jashtëzakonisht shumë votën, duke i hequr të paktën 4 deri në 5 deputetë të sigurt PD-së.
PD u mundua të delegjitimonte procesin e votimit të diasporës, duke u munduar ta gjente te kjo e fundit “farsën”, që sipas PD karakterizoi të gjithë procesin zgjedhor.
Një tjetër rast ku PD u mundua t’i mëshonte fort, qe ai i të ashtuquajturit “treni bullgar”, fenomen ku dyshohej se fletë të shumta votimi ishin tërhequr nga qendra e votimit, për t’u zëvendësuar me të tjera ku ishte vendosur tashmë kryqi për PS që jashtë.
Por në rastin në fjalë, nga materialet e marra në administrim, ka rezultuar se ato kishin qenë fletë simuluese të përdorura nga KQZ për trajnimin e numëruseve dhe jo fletë zyrtare të vulosura.
Duke qenë se këto dy fenomene, nuk mund ta justifikojnë gjithsesi hendekun prej mbi 300 mijë votash ndërmjet dy partive, PD ka gati skenarin e radhës, që në fakt është një refren i saj në këto 12 vite opozitë: bllokimin e foltores, zhurmat me bilbilë, sherret fizike në Parlament, të cilat gjithsesi nuk e kthejnë dot PD në pushtet, as e reformojnë në rrugën e duhur, por vetëm sa e lënë në vorbullën e status-quosë në të cilën është marrë peng që nga 1991 nga Sali Berisha, i cili nuk ka ndër mend ta lëshojë karrigen dhe vazhdon me kokëfortësi ta udhëheqë PD-në nga humbja në humbje, me moton “pas meje, kiameti”.







