Dy veliera janë shpëtuar mbrëmjen e djeshme nga Policia Kufitare e Vlorës në dy operacione të ndara, pas rrezikut të lartë për shkak të motit të keq dhe dallgëve të fuqishme.
Sipas njoftimit zyrtar, një prej velierave ndodhej rreth 3 milje në perëndim të Ishullit të Sazanit kur hasi vështirësi në lundrim për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe errësirës. Pas marrjes së sinjalit të emergjencës, një mjet i specializuar i Stacionit të Mjeteve Lundruese në Triport ndërhyri menjëherë, duke e lokalizuar velierën rreth orës 20:20 dhe e shoqëroi atë në mënyrë të sigurt drejt Gjirit të Vlorës, ku u ankorua në zonën e “Bovës”, pranë Plazhit të Vjetër. Të gjithë udhëtarët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, një incident tjetër është regjistruar në afërsi të Gjirit të Gramës, ku katër turistë të huaj kishin humbur orientimin në det që prej mbrëmjes së djeshme. Pas lajmërimit të bërë nga vetë turistët, Roja Bregdetare ndërhyri për t’i marrë nga zona, dhe më pas Policia Kufitare i transportoi ata në Triport.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet detare ndërhyjnë për të shpëtuar turistë të huaj në ujërat e Vlorës. Raste të ngjashme janë shënuar edhe më herët, përfshirë situata ku velierat kanë pësuar defekte teknike gjatë lundrimit në det të hapur.
Autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë lundruesve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin paralajmërimet për motin para çdo daljeje në det.







