FLASH :

Sherri i çuditshëm, trimërohen LGBTQ, sulmojnë të krishterët

Seattle u përfshi nga tensione të dhunshme të shtunën, kur përplasjet mes një grupi të krishterë konservator dhe kundërprotestuesve degjeneruan në konfrontime fizike në Cal Anderson Park. Policia arrestoi të paktën 23 persona gjatë ditës, ndërsa një efektiv u plagos.

Ngjarja ndodhi gjatë tubimit “Mayday USA” të organizuar nga grupi On Fire Ministries, që promovonte “vlerat biblike dhe të vërtetën” si pjesë e fushatës “#DontMessWithOurKids”. Aktiviteti, i mbajtur në një nga lagjet më të njohura LGBTQ+ të qytetit, u kundërshtua nga protestues me pankarta si “Mbroni Rininë Trans” dhe “Gënjeshtrat Republikane Vrasin Njerëz Trans”.

Sipas Departamentit të Policisë së Seattle, përplasjet nisën rreth orës 13:30, kur protestuesit filluan të hedhin sende drejt mbështetësve të aktivitetit fetar. Policia ndërhyri menjëherë për arrestime, por u përball me rezistencë të dhunshme që çoi në më shumë arrestime. Në total, 11 persona u ndaluan në incidentin fillestar, dhe 12 të tjerë në orët në vijim, për akuza si pengim i punës së policisë dhe sulm ndaj efektivëve.

Pamje nga vendngjarja treguan oficerë policie që rrëzonin në tokë dhe prangosnin protestues. Në ndihmë u thirrën dhe trupat e Patrullës Shtetërore të Washingtonit, ndërsa një polic u dërgua në spital me plagë të lehta.

Kryetari i Bashkisë, Bruce Harrell, e dënoi tubimin si një provokim të qëllimshëm në zemër të komunitetit LGBTQ+. “Tubimi i së djathtës ekstreme u mbajt këtu pikërisht për këtë arsye – për të provokuar një reagim duke promovuar ide që bien ndesh me vlerat e qytetit tonë”, tha Harrell, duke pretenduar se “anarkistë” kishin infiltruar kundërprotestën dhe nxitën dhunën.

Nga ana tjetër, organizatorja e eventit, Folake Kellogg, mohoi çdo provokim nga ana e tyre: “Nuk jemi ne që hedhim gjëra. Ne jemi këtu për të dashur Jezusin,” deklaroi ajo për The Seattle Times. Ajo shtoi se Cal Anderson Park nuk ishte zgjedhja e parë për mbajtjen e eventit, por autoritetet e qytetit nuk lejuan zhvillimin në një tjetër hapësirë publike.

Tensionet rreth çështjeve të identitetit gjinor dhe vlerave fetare po rriten ndjeshëm në SHBA, duke e bërë këtë incident një tjetër shenjë të përçarjes së thellë politike dhe kulturore në vend.