Aktorja australiane Clare McCann ka ndarë një lajm tronditës me ndjekësit e saj, duke konfirmuar vdekjen tragjike të djalit të saj 13-vjeçar, Atreyu McCann, i cili i dha fund jetës pas një periudhe të gjatë dhe të dhimbshme ngacmimesh në shkollë.
Clare, e njohur për rolin e saj në serialin e Channel V Blog Party, zbuloi se i biri kishte qenë viktimë e një “ngacmimi të tmerrshëm” dhe shpalli nisjen e një fushate GoFundMe me synimin për të mbledhur 300 mijë dollarë – jo për funeral, por për të kriopreservuar trupin e tij në një përpjekje të dëshpëruar për ta rikthyer në jetë në të ardhmen.
“Makthi im më i madh është bërë realitet dhe jeta e fëmijës tim u vodh,” – shkroi Clare në një postim prekës në rrjetet sociale, krahas një fotoje me Atreyun në një premierë filmi.
“Kemi vetëm 7 ditë”
Në faqen e GoFundMe, Clare thekson se ekziston një dritare kohore shumë e kufizuar për të realizuar ngrirjen kriogjenike të trupit të Atreyut. Ajo thotë se, nëse nuk veprohet brenda 7 ditëve, çdo mundësi e ardhshme për ringjallje potenciale që mund të ofrojë shkenca do të humbasë përgjithmonë.
“Kjo nuk është çmenduri. Është shpresë. Është refuzimi për ta lënë historinë e tij të mbyllet në heshtje.”
Krioprezervimi është një proces që përdor temperatura ekstreme për të ruajtur materiale biologjike – si trupa njerëzish – me shpresën se një ditë teknologjia mund t’i rikthejë në jetë.
Drejtësi për Atreyun
Clare akuzon institucionet arsimore se kanë neglizhuar thirrjet e saj për ndihmë, pavarësisht raporteve mjekësore, diagnozës së PTSD-së, dhe dokumenteve që vërtetonin shqetësimet e saj.
“E luta Departamentin e Arsimit të ndërhynte. Askush nuk bëri asgjë. Dhe tani, djali im i dashur nuk është më,” – shkroi ajo.
Ajo paralajmëron se çdo fond i mbetur pas arritjes së synimit për krioprezervim do të shkojë për një fushatë kombëtare kundër ngacmimit në shkolla si dhe për veprime ligjore ndaj institucioneve që e lanë në baltë Atreyun.
Humbja e një drite
Atreyu ishte një djalë aktiv në skenën artistike, duke ndjekur gjurmët e nënës së tij. Ai kishte role në filma të shkurtër, seriale krimi dhe ishte pjesë e trupave teatrore për të rinj në Australi.
“Ai ishte drita më e ndritshme në botën time — i dashur, krijues dhe i pafundësisht i dashur,” – shkroi Clare në njoftimin për vdekjen e tij.
Aktorja dhe aktivistja e njohur për punën në industrinë e filmit dhe rolin e saj në Festivalin Ndërkombëtar të Grave në Sydney, është aktualisht gazetare në Eastern Suburbs Life.
Reagime nga publiku
Postimi i saj është ndjekur nga një valë mesazhesh ngushëllimi nga ndjekësit dhe kolegët:
“Nuk mund ta imagjinoj dhimbjen tënde. Dërgoj gjithë dashurinë time,” – shkroi një komentues.
“Ai ishte një djalë i mrekullueshëm. Ngushëllime të thella dhe paqe të përjetshme për Atreyun,” – shtoi një tjetër.












