FLASH :

“E gjallë, por e vdekur”: Drama e një gruaje në koma që po mbahet në jetë për të shpëtuar foshnjën

Në një repart të kujdesit intensiv në Atlanta të SHBA-së, ndodhet një paciente që ka ndezur një debat të furishëm në gjithë vendin: jo për të drejtën e saj për të jetuar – por për të drejtën për të vdekur.

Adriana Smith, një infermiere 30-vjeçare dhe nënë e një djali 7-vjeçar, u shpall klinikisht e vdekur pas një operacioni të pasuksesshëm në tru. Ajo ishte në javën e nëntë të shtatzënisë kur shkoi në spital për dhimbje koke të forta. Pa i bërë skaner, mjekët e kthyen në shtëpi me ilaçe. Ditën tjetër, ajo u zgjua duke u mbytur dhe me tinguj të frikshëm nga fyti. Ishte tepër vonë.

Mjekët zbuluan mpiksje gjaku në tru. Operacioni për të ulur presionin dështoi dhe Adriana u shpall me vdekje cerebrale. Por ndryshe nga rastet e tjera, ajo nuk u lejua të prehej.

Spitali refuzon të shkëpusë aparaturat: “Ligji i ndalon”

Emory University Hospital, ku Adriana kishte punuar më parë, i ka informuar familjen se ajo nuk mund të hiqet nga aparaturat e jetës – jo për arsye mjekësore, por ligjore. Spitali thotë se është duke vepruar në përputhje me ligjin e abortit të shtetit të Georgias, i njohur si “LIFE Act”, i cili ndalon ndërprerjen e shtatzënisë pas javës së gjashtë – kur detektohet rrahja e zemrës së fetusit.

Ligji, i miratuar në vitin 2019 por që hyri në fuqi vetëm pas përmbysjes së “Roe v. Wade” në 2022, i njeh fetusit të drejta ligjore si “qenie njerëzore”. Kjo ka çuar në një situatë absurde: edhe pse Adriana është e vdekur klinikisht, ligjërisht ajo duhet të mbahet “gjallë” për t’i dhënë fetusit një shans për të lindur.

“Ky është një makth”: Familja e pafuqishme, shteti vendos për trupin e saj

Nëna e Adrianës, April Newkirk, është shprehur mes lotësh: “Kjo është torturë për mua. E shoh vajzën time duke marrë frymë nga ventilatori, por ajo nuk është më aty.”

Familja e kishte lënë të hapur mundësinë për të marrë një vendim të vetëdijshëm për shkëputjen nga aparaturat, por tashmë nuk kanë më kontroll mbi trupin e vajzës së tyre.

Duke e quajtur foshnjën “Chance”, familjarët kanë bërë të ditur se ai vuan nga hidrocefalus – lëng në tru – dhe mjekët e kanë paralajmëruar se mund të lindë me paaftësi të rënda, ndoshta i verbër, i paralizuar ose me jetë të kufizuar.

Ndërhyrje politike dhe protestë publike

Debati është ndezur në nivel kombëtar. Pro-abortistët e kanë quajtur rastin një “tmerr absolut” dhe e kanë krahasuar me “Tregimin e Shërbëtores” (Handmaid’s Tale), një roman distopik ku gratë trajtohen si vegla për riprodhim.

Ndërkohë, pro-life aktivistët e kanë lavdëruar spitalin për përpjekjet për të shpëtuar një jetë. Organizata “Students for Life of America” ka nisur madje një fushatë për të mbledhur fonde për foshnjën.

Por edhe disa konservatorë po tërhiqen: Prokurori i Përgjithshëm i Georgias, Chris Carr, lëshoi një deklaratë ku theksoi se ligji nuk e detyron mbajtjen në jetë të pacientëve me vdekje cerebrale, pasi kjo “nuk përbën ndërprerje shtatzënie” me qëllim të drejtpërdrejtë.

Një rast i ngjashëm në Teksas në 2014: Gjykata vendosi për heqjen nga jeta

Ky nuk është rasti i parë i tillë në SHBA. Në vitin 2014, Marlise Munoz në Teksas u shpall me vdekje cerebrale në javën e 14-të të shtatzënisë. Spitali refuzoi të hiqte aparaturat, por gjykata vendosi në favor të bashkëshortit që kërkonte përmbushjen e vullnetit të saj të mëparshëm.

“Një Amerikë tjetër” ishte në atë kohë – më pak e polarizuar dhe pa ndikimin e lëvizjeve fetare ekstreme që sot ndikojnë fuqishëm politikën në shtete si Georgia,” komentojnë analistët.