Një ngjarje e rëndë ka tronditur Zvicrën jugperëndimore, ku pesë skiatorë janë gjetur të vdekur pranë resortit luksoz dimëror në Zermatt, një nga zonat më të njohura turistike të Alpeve.
Trupat u zbuluan pranë akullnajës Adlergletscher, në një zonë të thellë malore pranë kufirit me Italinë. Alarmimi nisi pasi u gjetën disa ski të braktisura në lartësinë 4,000 metra mbi nivelin e detit, në shpatet e malit Rimpfischhorn, lindje të Zermattit dhe jug të fshatit Saas Fee.
Sipas kompanisë Air Zermatt, tre nga viktimat u zbuluan në mbetjet e një orteku disa qindra metra më poshtë vendit ku u vunë re skitë, ndërsa dy të tjerët u gjetën më lart në malin me lartësi 4,199 metra.
Ekipet e kërkimit ndërhynë si nga ajri, ashtu edhe nga toka, përmes një operacioni të vështirë në terren të ngrirë. Zyra e prokurorit ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e tragjedisë dhe mundësinë e shkaktimit të ortekut.







