Më 18 qershor 2023, katër burra dhe një adoleshent hipën në nëndetësen Titan për të zbritur mijëra metra nën ujërat e errëta të Atlantikut të Veriut drejt rrënojave të Titanikut, pranë brigjeve të Newfoundland.
Asnjëri prej tyre nuk u kthye gjallë. Pas 1 orë e 45 minutash zhytjeje, Titan humbi kontaktin me anijen mbështetëse Polar Prince dhe u zhduk pa gjurmë.
Pas katër ditësh ankthi global, Roja Bregdetare e SHBA konfirmoi se të gjithë kishin humbur jetën për shkak të një implozioni katastrofik.

Mes viktimave ishin edhe Stockton Rush, kapiteni dhe CEO i kompanisë amerikane OceanGate, tre britanikë – Hamish Harding (58), Shahzada Dawood (48) dhe djali i tij Suleman (19) – dhe francezi Paul-Henri Nargeolet (77). Të gjithë vdiqën në çast.
Por sipas një hetimi të ri nga BBC, kjo nuk ishte vetëm një tragjedi – ishte një katastrofë e parashikueshme, një skandal i madh në eksplorimin nënujor, ndoshta edhe një krim i rëndë.
Duke pasur qasje të paprecedentë në hetimin forenzik të Rojës Bregdetare Amerikane – që ka analizuar 88 zhytje të Titanit – si dhe pamje ekskluzive nga brenda nëndetëses, dokumentari “Implosion: The Titanic Sub Disaster” nxjerr në pah një histori të rrezikshme të keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe eksperimenteve të çmendura të Stockton Rush.

Një mjet pa certifikim, i ndërtuar nga fibra karboni e dëmtuar
Titan nuk ishte as e regjistruar dhe as e certifikuar. Protokollet e sigurisë u shpërfillën para zhytjes fatale. Më tronditëse është se trupi i saj i ndërtuar nga fibra karboni ishte tashmë i dëmtuar përpara zbritjes së fundit.
Nëndetësja drejtohej me një kontrollues videolojërash, dhe në raportin e BBC përshkruhet si “tub vdekjeje”.
Rrëfimi kronologjik i zhytjeve të rrezikshme të Titanit
Zhytja 39 – Bahamas (2018)
Rush ndërtoi Titanin e parë në 2017, duke zgjedhur fibra karboni në vend të çelikut apo titanit. Në dhjetor 2018, realizoi zhytjen e parë të pilotuar. Gjatë zhytjes, u dëgjuan zhurma të forta si shpërthime – që Rush i injoroi. Në një intervistë televizive, ai e përshkroi momentin si “momenti kur fibra karboni po shembej përreth teje”.
Josh Gates, prezantues i Discovery Channel, tha: “Nuk ishte një flamur i kuq – ishte një flakadan SOS në ajër”.

Zhytja 47 – Bahamas (2019)
Rush mori për herë të parë pasagjerë në bord. Karl Stanley, ekspert në nëndetëse, dëgjoi zhurma si krisma dhe i dërgoi emaile paralajmëruese Rush për më shumë se një vit. Ai e quajti këtë sipërmarrje “e udhëhequr nga egoja”, dhe ishte i bindur se Rush e dinte që submersibëlja e tij do të implodonte një ditë.
Zhytja 53 – Atlantiku i Veriut (2021)
Pasi zbuloi çarje në trupin e nëndetëses, Rush ndërtoi një trup të dytë nga fibra karboni. Por ai vazhdoi numërimin e zhytjeve sikur të ishte e njëjta nëndetëse, për të fshehur problemet e mëparshme. Në maj 2021, një zhytje me Josh Gates dështoi totalisht – ndriçimi nuk funksionoi, softueri u rrëzua. Gates anuloi dokumentarin e Discovery Channel.
Zhytja 61 – Aksident me kupolën (2021)
Në qershor 2021, pas një zhytjeje të suksesshme, kupola e përparme e nëndetëses shpërtheu sapo dolën në sipërfaqe. Rush kishte përdorur vetëm 4 bulona në vend të 18 të nevojshme, duke i ekspozuar pasagjerët ndaj rrezikut ekstrem. Ai kërkoi të sekuestronte çdo video të incidentit për të mos u zbuluar.
Zhytja 80 – Alarm nga zhurma (2022)
Më 15 korrik 2022, gjatë zhytjes 80, ekipi mbështetës dëgjoi një tjetër zhurmë të fortë, që më pas u konfirmua se ishte delaminimi i fibrës së karbonit – një proces ku shtresat e materialit ndahen dhe trupi i mjetit humbet forcën strukturore.
Antonella Wilby, eksperte nënujore dhe anëtare e ekipit, la punën menjëherë. Ajo përshkroi një kulturë ku paralajmërimet shpërfilleshin dhe ku Rush u tha pasagjerëve:
“Kompania është e regjistruar në Bahamas, këtu nuk ka dëmshpërblime, kështu që mos u lodhni të më padisni.”
Implozioni i fundit – Zhytja 88
Zhytja fatale ndodhi më 18 qershor 2023. Mjeti implodoi në thellësi, duke i marrë jetën pesë personave.
Lieutenant Commander Katie Williams, nga Roja Bregdetare, konfirmon:
“Delaminimi në Dive 80 ishte fillimi i fundit. Çdo person që u ngjit në Titan pas asaj zhytjeje, po rrezikonte jetën.”
Jason Neubauer, kreu i hetimit zyrtar, tha:
“Nuk kemi të bëjmë me një aksident. Kemi të bëjmë me një krim të mundshëm.”







