Në një rrugë të zakonshme në periferi të Londrës Lindore, një çift i ri ishte përfshirë në një debat të nxehtë.
Për ata që i dëgjonin, zënka tingëllonte si një konflikt i zakonshëm – se kush nuk po kontribuonte mjaftueshëm në shtëpi.
“Ajo i thoshte që ai rrinte gjithë ditën në shtëpi, ndërsa ajo po fitonte gjithë paratë”, tha një kalimtar që dëshmoi skenën.
Por kjo nuk ishte një zënkë e zakonshme familjare. Sepse gruaja në fjalë ishte një rumune me emrin Luminita Zamfir – dhe “puna” e saj ishte krejtësisht e paligjshme. Ndërkohë që ajo punonte në terren, burri i saj dyshohet se drejtonte veprimtarinë kriminale nga shtëpia.
Pak pas asaj zënke, 24-vjeçarja Zamfir u arrestua. Akuza? U shtir si pastruese për të vjedhur bizhuteri me vlerë mbi 500 mijë paund.
Duke synuar rezidencën e dytë më të madhe në Londër – më e madhja është vetëm Pallati Buckingham – ajo arriti të futet në ndërtesë në shkurt duke pretenduar se kishte ardhur për një provë pune nga një agjenci.
Pasi u shoqërua brenda vilës prej 105 milionë paundësh, ajo vodhi bizhuteri (unaza, varëse, vathë) në vlerë 548,565 paund që i përkisnin një familjeje të pasur ndërkombëtare.
Zamfir kreu edhe dy grabitje të tjera në shtëpi të personave të pasur, duke vjedhur ora, kopsa mangetash dhe para në dorë me vlerë mbi 50 mijë paund. U identifikua falë ADN-së së lënë në një nga shtëpitë dhe kamerave të sigurisë që e kapën në flagrancë. Asnjë nga sendet nuk është gjetur ende.
Kur u paraqit në gjykatë javën e kaluar dhe pranoi fajin, gjykatësi sugjeroi se do të ishte në interesin e saj të ndihmonte policinë për të rikuperuar plaçkën. Por duke njohur të kaluarën e saj, kjo duket e pamundur.
Gazeta Mail on Sunday zbulon se ajo ka një histori dënimesh të ngjashme që nga mosha 17-vjeçare, duke grabitur dhoma hoteli në Londër.
Edhe në ato raste, dyshohet se u shtir si pastruese për të hyrë në dhomat e viktimave të pasura.

Kjo ndjek një model të njohur: gra të reja rumune që punojnë si pastruese në hotele luksoze dhe kryejnë grabitje të sofistikuara.
Një prej tyre, Sabrina Rova, 23 vjeçe, u dënua me 5 vite e 8 muaj burg për vjedhje bizhuterish në vlerë 365,000 paund.
Një tjetër, Bianca Didirea, u dënua me 2 vite e gjysmë burg pasi vodhi një unazë martese dhe një orë Rolex nga një turist indian.
Ndërsa Marinela Manolesu, 29 vjeçe, është ende në kërkim nga policia britanike pas një grabitjeje prej 350,000 paund në një hotel në Knightsbridge – besohet se është kthyer në Rumani.
Disa prej grave kishin regjistruar madje edhe kompani pastrimi në Britani për të legjitimuar aktivitetin e tyre.
Shumica janë të reja, me fëmijë, dhe disa – si Zamfir – janë shtatzëna gjatë kryerjes së krimeve.
Zamfir lindi fëmijën vetëm një muaj më parë dhe u paraqit në gjykatë përmes video-lidhjes nga burgu, duke mbajtur foshnjën në krah.
Shumë prej tyre pretendojnë se nuk kanë përfituar personalisht nga grabitjet dhe se janë përdorur nga grupe të krimit të organizuar.

Një fqinj rumun i Zamfir tha: “Kjo grua është përdorur. Ajo s’e ka bërë këtë për rroba firmato apo pushime luksoze. Bizhuteritë kanë dalë menjëherë nga vendi – nuk do i shohim më kurrë.
Kur shkon nëpër fshatrat në Rumani, sheh vila që duken si pallate, me pishina – aty përfundon plaçka.”
Ai shtoi: “Në Britani jeni shumë të butë. Ata e njohin sistemin. Gruaja shtatzënë merr dënim të butë. Burrat, në burg, kanë telefona, Xbox, drogë, edhe marrëdhënie me rojat femra. Është si pushim.”
Një fqinj tjetër tha se njerëzit në shtëpinë e Zamfir ishin miq me një grup rumunësh dy shtëpi më tej që dilnin çdo mëngjes për të lypur pranë stacionit të trenit.
Që nga hyrja e Rumanisë në BE në 2007 dhe heqja e kufizimeve për punësim në Britani në 2014, numri i rumunëve në Britani është rritur ndjeshëm – nga 83 mijë në 2011 në mbi 550 mijë në 2021.

Pas Brexit-it, qytetarët rumunë duhet të marrin vizë për të punuar ose jetuar në Britani.
Bandat rumune janë lidhur me vjedhje të sofistikuara, trafikim njerëzish dhe krime të tjera të organizuara.
Në burgjet britanike, rumunët janë grupi i tretë më i madh i të huajve – por për gratë, janë kombësia më e zakonshme jo-britanike.
Zamfir është njëra prej tyre. Ajo ka precedent penal që prej 2018, kur vodhi bizhuteri në hotelin “Westbury”. Por, siç duket, nuk u dëbua asokohe.
Në nëntor të vitit të kaluar, ajo vodhi 50,000 paund nga një shtëpi në South Kensington. Pesë ditë më pas, hyri në një vilë tjetër duke u shtirë si pastruese dhe vodhi një orë Gucci, një unazë të çmuar dhe para.

Unaza kishte vlerë emocionale për viktimën, Pippa, pasi ishte unaza e të atit që kishte ndërruar jetë vitin e kaluar.
Pasi u zbuluan grabitjet, ADN-ja e saj u identifikua dhe më pas u arrestua. Në gjyq, ajo pranoi tre akuza për grabitje dhe pret dënimin në qershor.
Mbrojtja e saj u përfaqësua nga avokati Dhaneshwar Sharma, i cili theksoi se bashkëshorti i saj nuk ishte i pranishëm dhe vendndodhja e tij nuk dihet.
Rasti i Zamfirit është vetëm një ndër shumë të tjerë që tregojnë se si disa të ardhur në Britani, të pajisur me identitete të “punëtorëve të ndershëm”, përfundojnë duke abuzuar me besimin dhe sistemin mikpritës.







