Për dekada, vijat e errëta që shfaqen në shpate të pjerrëta në Mars kanë ngjallur shpresat për ekzistencën e ujit të lëngshëm dhe ndoshta jetës. Por një studim i ri i publikuar në Nature Communications hedh poshtë këtë teori: ato janë thjesht rrëshqitje pluhuri.
Studiues nga Universiteti i Brown-it dhe ai i Bernës analizuan mbi 86,000 imazhe satelitore përmes inteligjencës artificiale, duke identifikuar më shumë se 500,000 struktura të tilla. Harta e krijuar nga ky dataset i paprecedent tregon se vijat, të njohura si Recurring Slope Lineae (RSL), nuk lidhen me kushte të lagështa, por me erëra të forta dhe pluhur.
“Modeli ynë favorizon procese të thata si shkaktarë,” tha Adomas Valantinas, bashkautor i studimit.
Këto veçori janë vërejtur që nga misioni Viking në vitet 1970, dhe për shumë kohë u mendua se ishin të lidhura me shkrirje akulli ose pellgje të kripura. Por rezultatet e reja tregojnë se nuk ka prova për ujë aktiv, madje në disa raste, vijat shfaqen pas kraterëve të rinj ndikimi apo aktivitetit të djajve të pluhurit.
Kjo zbulim ka ndikim të madh për misionet e ardhshme. Nëse këto zona nuk kanë ujë, atëherë ato nuk përbëjnë rrezik për ndotje biologjike dhe nuk janë më objektiva prioritare për kërkimin e jetës.
“Është një hap drejt vendimeve më të mençura për eksplorimin e Marsit,” përfundon Valantinas.