FLASH :

Tragjedi në Londër: Zjarr i përmasave të mëdha i merr jetën një nëne dhe tre fëmijëve të saj në Brent, një burrë arrestohet për vrasje

Një zjarr i përmasave shkatërruese ka tronditur lagjen Stonebridge pranë Wembleyveriperëndim të Londrës, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën tragjikisht – një nënë 43-vjeçare dhe tre fëmijët e saj, përkatësisht një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem 8 dhe 4 vjeç.

Sipas Metropolitan Police, zjarrfikësit u thirrën në adresën Tillett Close rreth orës 1:22 të mëngjesit të së shtunës, ku konstatuan një zjarr të përhapur në dy shtëpi të bashkangjitura. Pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, katër viktimat u deklaruan të vdekur në vendngjarje.

Një burrë 41-vjeçar është arrestuar në vendin e ngjarjes me dyshimin për vrasje dhe ndodhet në paraburgim. Policia dhe Brigada e Zjarrfikësve të Londrës po hetojnë shkaqet e mundshme të zjarrit.

Dy anëtarë të tjerë të familjes, një grua në të 70-at dhe një vajzë adoleshente, u dërguan në spital në gjendje të rëndë. Ekipet mjekësore, përfshirë ambulancën ajrore, paramedikë të avancuar dhe njësinë për situata të rrezikshme, ndërhynë në vendngjarje duke trajtuar gjithsej 13 persona, ndër ta edhe oficerë policie.

Pamje rrëqethëse të publikuara nga The Mirror tregojnë shtëpinë e djegur dhe mobiljet e karbonizuara, ndërsa fqinjët, të tronditur, kanë përshkruar skena kaotike dhe panik në mesnatë. “Nuk mund ta shikoj atë shtëpi… ishin njerëz të mirë,” tha një fqinj, mësues 38-vjeçar.

Superintendent Steve Allen i Policisë Metropolitane e quajti incidentin “jashtëzakonisht tragjik” dhe bëri të ditur se oficerët do të qëndrojnë në zonë për të ndihmuar komunitetin dhe për të mbledhur informacione. Ndërsa asistent-komisionerja e zjarrfikësve Keeley Foster konfirmoi se flakët përfshinë dy ndërtesa trekatëshe dhe se viktimat u shpëtuan nga kati i dytë, por nuk arritën të mbijetojnë.

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, u shpreh në rrjetet sociale: “Kjo është një tragjedi shkatërruese. Mendimet e mia janë me familjen dhe komunitetin e prekur.” Ndërkohë, deputetja lokale Dawn Butler falënderoi ekipet zjarrfikëse për përpjekjet heroike, duke shtuar: “Lutjet e mia janë me të gjithë të prekurit.”