Një situatë kaotike ka shpërthyer në një nga qendrat tregtare më të mëdha në Londër, ku dhjetëra blerës janë përplasur fizikisht për të siguruar një nga lodrat më virale të momentit – Labubu, krijesat prej pellushi që kanë kthyer dyqanet në fushëbetejë. Pamjet tronditëse të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë njerëz duke u goditur me grushta brenda dyqanit Pop Mart në Westfield Stratford, teksa rojet e sigurisë përpiqen më kot të ndalojnë kaosin.
Ky nuk është incidenti i parë i lidhur me këto lodra “të frikshme por të ëmbla” që janë kthyer në obsesion koleksionistësh. Për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme dhe ofertës së kufizuar, shumë fansa kanë pritur deri në pesë orë në radhë jashtë dyqaneve në përpjekje për të blerë një Labubu, ndërkohë që të tjerë përballen me çmime marramendëse në tregun sekondar – duke shkuar deri në 600 paund për një kukull që në dyqan kushton vetëm 13.50 paund.
Në përpjekje për të frenuar dhunën dhe histerinë kolektive, Pop Mart ka marrë vendimin drastik për të pezulluar përkohësisht shitjet e Labubu në të gjitha 16 dyqanet e saj në Mbretërinë e Bashkuar deri në qershor, duke paralajmëruar një sistem të ri shpërndarjeje më të drejtë dhe më të sigurt për klientët. “Kjo nuk është përvoja që duam t’u ofrojmë konsumatorëve tanë,” deklaroi kompania për BBC, duke u distancuar nga incidentet e dhunshme dhe grumbullimet e rrezikshme.
Ndërkohë, koleksionistë si Ashley Bushey, e cila pranon se ka shpenzuar mbi 1,000 paund për 13 kukulla Labubu, i quajnë përpjekjet e Pop Mart një “luftë e organizuar” ku konsumatorët ndihen gjithnjë në garë me njëri-tjetrin dhe me shitësit që shesin më pas lodrat për çmime të shumëfishuara online. Për më tepër, në rrjetet sociale janë rritur denoncimet për versione të falsifikuara, të quajtura “Lafufu”, të cilat shiten brenda kutive origjinale të manipuluara.
Për momentin, Labubu – lodrat e krijuara nga artisti hongkongas Kasing Lung dhe të famshme falë postimeve të yjeve si Lisa e Blackpink, Rihanna dhe Dua Lipa – do të mbeten jashtë tregut britanik. Por çmenduria kolektive që ato kanë shkaktuar mbetet një sinjal alarmi për industrinë e lodrave: në epokën e virales dhe shitjeve të verbra (“blind boxes”), konsumatori është gjithnjë më pak klient dhe gjithnjë më shumë lojtar në një garë ku humbësi është gjithmonë xhepi i tij – ose paqja në qendrat tregtare.







