Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur të enjten, më 22 maj, në Kopshtin Shtetëror Nr. 1 në Gramsh, ku të paktën 70 fëmijë janë helmuar masivisht pas konsumit të ushqimit të përgatitur brenda institucionit. Të miturit janë dërguar me urgjencë në spital me simptoma të rënda të helmimit ushqimor, ndërsa autoritetet vendore dhe qendrore kanë heshtur në mënyrë të pajustifikueshme, duke u përpjekur të shmangin përgjegjësinë dhe transparencën.
Qëndresa Qytetare: Po fshihet e vërteta, fajin e ka sistemi i tenderave
Organizata Qëndresa Qytetare ka reaguar me forcë ndaj këtij rasti, duke e cilësuar “një nga rastet më të rënda të neglizhencës shtetërore ndaj sigurisë ushqimore së fëmijëve” dhe ka akuzuar institucionet për përpjekje të qëllimshme për ta mbuluar incidentin nga opinioni publik.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Qëndresa Qytetare denoncon mënyrën klienteliste dhe jotransparente me të cilën jepen tenderat për furnizimin me ushqim të institucioneve arsimore dhe parashkollore. Sipas tyre, “standardet e sigurisë ushqimore shkelen sistematikisht, ndërsa kontratat fitohen nga kompani me lidhje të afërta politike dhe pa kapacitete reale për të garantuar cilësi.”
Kërkohet hetim i thelluar dhe publikim i kontratave
Qëndresa Qytetare i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) të nisë një hetim të thelluar mbi procedurat e tenderimit, kompaninë furnizuese dhe zinxhirin përgjegjës institucional. Organizata kërkon gjithashtu publikimin e menjëhershëm të kontratave dhe kushteve të tenderit, si dhe pezullimin e çdo kontrate të dyshimtë që lidhet me këtë rast.
“Kjo nuk është thjesht një ‘aksident’. Është pasojë direkte e një sistemi të kalbur tenderash, ku fëmijët trajtohen si statistika, jo si qenie njerëzore. E vetmja mënyrë për të ndalur tragjedi të tilla është ndëshkimi i përgjegjësve dhe transparenca totale mbi shpenzimin e parasë publike,” – thuhet në reagimin e Qëndresës.
Pse po hesht Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë?
Derisa familjarët e fëmijëve të helmuar kërkojnë përgjigje, asnjë zyrtar i lartë nuk ka dhënë dorëheqje apo ka mbajtur përgjegjësi publike. Ministria e Shëndetësisë ka bërë një deklaratë të vakët teknike, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ende.
Qytetarët e Gramshit dhe opinioni publik mbarëkombëtar kanë të drejtën të dinë: kush i helmoi fëmijët tanë – dhe kush po përpiqet ta fshehë këtë krim?
Qëndresa Qytetare: Helmohen 70 fëmijë në Gramsh.
QQ: Mungesa e kontrollit ushqimor, këmbanë kombëtare alarmi!
Helmimi i 70 fëmijëve nga ushqimi me salmonelë në një kopësht publik në qytetin e Gramshit është një këmbanë alarmi lidhur me sigurinë ushimore në institucionet publike si çerdhe, kopshte e spitale.
Më e rëndë bëhet situata jo vetëm nga mungesa e reagimit nga institucionet, por dhe nga tentativat për të fshehur ngjarjen, sikur të ishte normalitet, nderkohe qe 70 familje e kane kaluar naten e te 22 Majit ne spital.
Janë me dhjetra tendera që kryhen çdo muaj për furnizimin me ushqim të çerdheve dhe kopshteve në vend që nuk kalojnë në asnjë filtër, duke bërë që shëndeti i fëmijëve të jetë në dorë të babëzisë.
Qëndresa Qytetare kërkon të hetohet urgjentisht ky rast dhe përgjegjësit të vihen para ligjit.
Pak javë më parë shqiptarët mësuan se kanë konsumuar tonelata fileto pule me salmonelë, teksa AKU është kthyer në një institucion që ka dështuar të kryejë misionin e saj kryesor, parandalimin e futjes në treg të produkteve ushqimore që nuk plotësojnë standardet.
Më 11 mars 2025 AKU bëri kontroll rastësor në 1 prej 4 loteve që një kompani shqiptare solli nga Brazili, ku u kontrollua 1 kontejner me 8 ton mish.
Përgjigjen nga laboratori i ISUV për praninë e salmonelës në mostrën e marrë, AKU e mori me 21 mars, ndërsa publikun e njoftuan 1 javë me vonesë, kur ngarkesa e mishit ishte hedhur në treg.
Hetimet për këtë skandal janë në vijim, por precedenti i krijuar është i rrezikshëm, teksa më shumë se kurrë shqiptarët duhet ta kenë llogaridhënien për cilësinë e ushqimeve që blejnë më raport të drejtë me të ardhurat që shpenzojnë për ushqimin, që janë më të lartat në Evropë.
Falja e gjobave nga qeveria e rendon edhe me teper situaten e pandeshkueshmerise ne vend, por edhe te papergjegjshmerise te operatoreve private ndaj qytetareve.







