FLASH :

Tronditëse/ 70 fëmijë në kopësht në Gramsh helmohen nga salmonela, ngjarja u tentua të fshihej

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur të enjten, më 22 maj, në Kopshtin Shtetëror Nr. 1 në Gramsh, ku të paktën 70 fëmijë janë helmuar masivisht pas konsumit të ushqimit të përgatitur në institucion. Bëhet fjalë për një prej rasteve më të rënda të neglizhencës shtetërore ndaj sigurisë ushqimore së fëmijëve, që është përpjekur me çdo kusht të fshihet nga opinion publik.

Sipas dëshmive të prindërve dhe dokumenteve të analizave të fëmijëve, 30 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me salmonelë, ndërsa pjesa tjetër janë ende në pritje të përgjigjeve. Fëmijët kanë shfaqur simptoma të rënda si të vjella, temperaturë të lartë, diarre me gjak, dhe shumë prej tyre ndodhen aktualisht të shtruar në spital.

Ngjarja është mbuluar për tre ditë me radhë, duke u përpjekur të mos bëhet publike, pavarësisht se prindërit kanë ngritur alarmin që prej ditës së parë. Vetëm pasi valë denoncimesh u drejtuan drejt mediave dhe rrjeteve sociale, rasti arriti të depërtojë në publik.

Prindërit janë të shqetësuar nga mungesa e përgjegjësisë së institucioneve dhe fajësojnë drejtëpërdrejtë kopshtin dhe autoritetet vendore që, në vend që të marrin masa, zgjodhën të heshtin dhe të fshihen pas procedurave burokratike.

“Djali im është vetëm 3 vjeç. Ka një javë që vuan, me vigon në dorë dhe dhimbje të tmerrshme. Kanë ushqyer fëmijët me pulë të kontaminuar, edhe pasi në media kishte paralajmërime për rrezikun e salmonelës,” thotë një nga prindërit.

Fëmijët janë ushqyer me supë pule në ambientet e kopshtit ditën e enjte – një ditë pas raportimeve mediatike për mishin e pulës të infektuar me salmonelë në tregjet shqiptare. Në vend që të ndërpritet furnizimi dhe të merren masa parandaluese, produktet u përdorën si zakonisht në kuzhinën e institucionit publik.

Ndërkohë, Bashkia e Gramshit, Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare. Heshtja është bërë strategji, ndërkohë që prindërit përballen me pasojat fizike dhe psikologjike të helmimit të fëmijëve të tyre.