FLASH :

VIDEO/ Arrestimi i dy djemve 10-vjeçarë me pranga nga policia, nëna shpërthen në lot: Abuzim i pastër me pushtetin!

Një video e përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale ka ngjallur zemërim në Britaninë e Madhe, pasi tregon momentin kur policia arreston dhe vendos pranga dy djemve 10-vjeçarë në prani të nënës së tyre, e cila shpërthen në lot dhe e akuzon policinë për “abuzim të pastër me pushtetin”.

Ngjarja ndodhi në Kirkby Lonsdale, Cumbria, një ditë më parë, kur oficerët iu afruan fëmijëve pas një denoncimi nga një qytetar që pretendoi se ishte kërcënuar me një thikë nga një prej tyre. Megjithatë, pas një kontrolli të plotë, nuk u gjet asnjë armë dhe fëmijët u liruan.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Cumbria sqaroi se fëmijët u vendosën në pranga “për sigurinë e tyre dhe të oficerëve gjatë kontrollit”.

Pamjet filmike tregojnë njërin nga fëmijët në gjendje të rënduar emocionale, ndërsa nëna e tij, e cila besohet se i përket komunitetit udhëtar (Traveller), dëgjohet duke iu lutur oficerit: “Ai është vetëm një djalë 10-vjeçar.” Më tej, ajo përpiqet ta qetësojë djalin, i cili është duke qarë, dhe i thotë policit: “Mos e lëndo.” Oficeri nuk tërhiqet dhe premton se do t’i shpjegojë nënës arsyet e ndalimit.

Në fund të videos, shihet edhe një tjetër djalë i mitur që shoqërohet nga policia me pranga në duar.

Të nesërmen, nëna reagoi publikisht: “Djemtë tanë u vendosën në pranga për shkak të një akuze të rreme! Abuzim i pastër me pushtetin dhe provokim i pastër! Të ngacmosh fëmijë 10-vjeçarë është bullizëm!”

Ajo shtoi me zemërim: “Nuk do ta bënin këtë me asnjë komunitet tjetër! Pastaj pyesin pse fëmijët tanë kanë frikë prej tyre. Kjo situatë mund të ishte trajtuar krejt ndryshe.”

Policia theksoi se do të vijojë kontrollet dhe ndërhyrjet e nevojshme për të garantuar sigurinë në kuadër të Appleby Horse Fair, panairi tradicional më i madh në Europë për komunitetin rom dhe udhëtar, që mbahet në qytezën Appleby-in-Westmorland që nga viti 1775 dhe që pritet të tërheqë rreth 30,000 vizitorë këtë vit.

Edhe vitin e kaluar, mbi 100 persona u arrestuan gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, ndërsa policia deklaron se përfshin një operacion të gjerë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.