I dënuari më i vjetër me vdekje në Shtetet e Bashkuara, Oscar Franklin Smith, 75 vjeç, u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës mëngjesin e së enjtes në burgun me siguri të lartë Riverbend në Nashville, Tennessee, për vrasjen brutale të gruas së ndarë nga ai, Judith Smith, dhe dy djemve të saj adoleshentë, Jason dhe Chad Burnett, në vitin 1989.
Gjatë deklaratës së tij të fundit tre minutëshe, Smith hodhi akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe guvernatorit të shtetit, Bill Lee, të cilin e quajti “budalla” për lejimin e ekzekutimeve pa verifikim të pafajësisë. “Unë nuk jam i pari dhe nuk do jem i fundit,” u shpreh ai, ndërsa këmbënguli: “Unë nuk e vrava atë.”


Smith ka mohuar gjithmonë përfshirjen në vrasje, pavarësisht provave të shumta që e lidhin me ngjarjen, përfshirë një gjurmë dore me dy gishta të munguar që përputhej me dorën e tij dhe praninë e makinës së tij në vendngjarje. Prokuroria argumentoi se ai kishte një histori dhune ndaj bashkëshortes, kishte kërcënuar fëmijët dhe kishte marrë polica sigurimi mbi viktimat. Në gjyq u dëshmua gjithashtu se kishte tentuar të rekrutonte dy punëtorë për të kryer vrasjen.

Ekzekutimi i tij u shoqërua nga debat i fortë rreth përdorimit të ilaçit pentobarbital, që sipas avokatëve shkakton ndjesi torturuese si mbytje apo ngulfatje — efekte që sipas tyre përbëjnë “torturë të pastër” dhe janë të ndaluara nga ligji. Autopsia nuk do të kryhet për shkak të bindjeve fetare të Smith, por dëshmi nga dhjetëra raste të mëparshme tregojnë se ky ilaç shkakton edemë pulmonare të dhimbshme.
Familjarët e viktimave shprehën dhimbjen e tyre të thellë pas ekzekutimit. Motra e Judith Smith tha: “Nuk kalon asnjë çast pa na munguar. Shpresojmë që ky rast të shërbejë si thirrje për ndihmë për çdo grua që është viktimë e dhunës.”
Në anën tjetër, avokatja mbrojtëse Amy Harwell e përshkroi Smith si “një shpirt kokëfortë por të dashur, që u helmua nga shteti.” Ajo bëri thirrje që Tennessee të ndalojë këtë formë “mizore” të dënimit me vdekje.
Pranë burgut, rreth 40 protestues kërkuan ndalimin e dënimit me vdekje, ndërsa vetëm një qytetar ishte në mbështetje të tij, duke thënë: “Ai jetoi shumë gjatë. Ishte një humbje parash për taksapaguesit.”

Ky ekzekutim rihap debatet e forta mbi moralitetin, ligjshmërinë dhe efektivitetin e dënimit kapital në Amerikë.







