Elvis Pupa, aktor dhe bashkëshort i terapistes dhe influencueses së njohur Belina Pupa, është shpallur në kërkim nga autoritetet australiane, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në një rast të rëndë të kultivimit të kanabisit dhe manipulimit të furnizimit me energji elektrike.
Terapistja dhe influencuesja e njohur në rrjetet sociale, Belina Pupa, është përballë drejtësisë në Australi, pasi është akuzuar për krijimin e një perandorie të paligjshme kanabisi, ndërsa bashkëshorti dhe bashkë-akuzuari i saj, aktori shqiptar Vis Pupa, rezulton në arrati.
Belina Pupa, e cila ka më shumë se 80 mijë ndjekës në rrjete sociale dhe është themeluese e platformës terapeutike “One Healthy Mind”, u paraqit këtë të martë para Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide. Ajo përballet me dy akuza të rënda: një për kultivim të një sasie komerciale të një substance të kontrolluar dhe një tjetër për manipulim të paligjshëm të furnizimit me energji elektrike.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga mediat australiane, aktiviteti i dyshuar kriminal është zhvilluar nga 1 janari deri më 4 prill 2025, në një pronë në Ascot Park, ku janë zbuluar 43 bimë kanabisi dhe një laborator i sofistikuar. Autoritetet dyshojnë se çifti kishte ndërtuar një rrjet të organizuar kultivimi me qëllim shitjen.
Avokati mbrojtës kërkoi që zonjës Pupa t’i ndryshoheshin kushtet e lirimit me kusht, duke argumentuar se ajo ka një aktivitet profesional ndërkombëtar dhe udhëton shpesh drejt Shqipërisë për të punuar me klientët shqiptarë dhe për të marrë pjesë në emisione televizive.
“Zonja Pupa është terapiste me klientë në Shqipëri, SHBA dhe Australi. Udhëton rreth tre muaj në vit për qëllime pune dhe kërkesa ka të bëjë me lejen për të vazhduar aktivitetin profesional në Shqipëri,” tha avokati.
Por prokuroria kundërshtoi kërkesën, duke theksuar seriozitetin e akuzave dhe faktin që partneri i saj, Vis Pupa, është shpallur në kërkim dhe dyshohet se ka lënë Australinë për të shmangur ndjekjen penale.
“Ne kemi indicie që ai ka ikur nga vendi dhe po kërkohet në kuadër të të njëjtës çështje,” deklaroi prokurori.
Magjistratja Natalie Browne vendosi të shtyjë seancën për javën e ardhshme, ndërkohë që Belina Pupa do të mbetet e lirë me kusht.
Pupa, e cila ka promovuar për vite me radhë në rrjetet sociale mirëqenien emocionale dhe shëndetin mendor, ndodhet tani në qendër të një skandali të rëndë penal që ka tronditur publikun shqiptar dhe komunitetin e saj ndërkombëtar.







