FLASH :

Vota e diasporës, nga romantizëm opozitar në boomerang elektoral

Në muajt para zgjedhjeve të 11 majit 2025, klasa politike shqiptare, dhe veçanërisht opozita, fliste për votën e emigrantëve me një lloj romantizmi të ngjashëm me ato refrenet patetike që i rikthehen herë pas here çështjes së kombit dhe identitetit. U krijua iluzioni i një zgjimi demokratik që do të vinte nga jashtë, nga shqiptarët e larguar për bukën e gojës, që do ktheheshin simbolikisht për të ndëshkuar regjimin me një votë të pastër, të sinqertë, të pa marrë peng nga asnjë patronazhist.

Por zgjedhjet i nxorën për herë të parë jashtë mitit edhe ata që janë mësuar të frymëzojnë politikisht nga ndjenja, jo nga të dhënat. Opozita, dhe veçanërisht Partia Demokratike, pati këmbëngulësit më të zëshëm për përfshirjen e votës së emigrantëve. Ishte Oerd Bylykbashi, deputeti që përfaqësonte PD-në në tryezat e reformës zgjedhore, ai që deklaronte se “vota e emigrantëve është baseni më i madh i votës së lirë, sepse nuk i kap dot.” Kjo deklaratë u mor si aksiomë politike. Në emër të saj, PD këmbënguli që edhe ata pa adresë të deklaruar jashtë vendit të mund të votonin, një kërkesë që u refuzua nga PS, me arsyetimin e mungesës së logjistikës dhe rrezikut të abuzimeve.

Logjika opozitare ishte e qartë: votuesi brenda vendit është i varur nga shteti nga ndihmat ekonomike, legalizimet, vendet e punës në administratë, shërbimet publike preferenciale, etj. Ndërsa votuesi jashtë vendit, i lirë nga këto varësi, do të sillte zërin e ndërgjegjes kombëtare, një votë si akt vetëdijeje kundër korrupsionit dhe padrejtësisë. Por ajo që ndodhi më 11 maj i tronditi të gjitha këto parashikime.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste mori mbi 60% të votës së diasporës, në një kohë kur rezultati i saj brenda vendit luhatej rreth 52%. Me pak fjalë: emigrantët jo vetëm që nuk ndëshkuan Ramën, por i dhanë atij një bonus elektoral edhe më të lartë se vetë votuesit në Shqipëri. Ndërkohë, Partia Demokratike mori vetëm 24% të votës së diasporës, më pak se sa brenda Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, rezultatet e diasporës i vulosën disfatën opozitës në qarqe të mëdha si Tirana, Vlora, Durrësi, Fieri, Elbasani, madje edhe në Dibër. E vetmja fitore simbolike e PD-së ishte Kukësi, ku mori rreth 62% të votave kundrejt 27% të PS-së.

Përballë këtij realiteti, opozita u përplas me të vetmin mur që nuk mund ta rrëzojë: atë të të vërtetës elektorale. Me një pjesëmarrje emigrantësh prej rreth 137 mijë zgjedhësish të regjistruar dhe mbi 85 mijë vota të dërguara. Në përpjekje për të shpjeguar rezultatin zhgënjyes, disa zëra në kampin opozitar hodhën akuza për manipulim. Ishin zarfat nga Greqia që u vunë në qendër të vëmendjes. Deputetë si Kastriot Piroli deklaruan se kishte “rritje të pashpjegueshme” të numrit të votave që mbërritën nga Athina për Lezhën, përmendën shifra që ndryshonin çdo orë dhe aluduan për “shtesa artificiale” gjatë numërimit.

Në rrjetet sociale u shfaqën edhe mesazhe të disa emigrantëve që pohonin se kishin marrë zarfet bosh, ose që vota e tyre nuk figuronte në sistem. Sali Berisha i quajti shifrat “masakër zgjedhore”, dhe akuzoi publikisht se në qarkun e Tiranës u numëruan 1033 vota më shumë se sa zarfa të ardhura. Ai e krahasoi situatën me manipulimet e Lukashenkos dhe madje edhe të Koresë së Veriut. Por përtej kësaj vale ankesash, një analizë më e qetë dhe e ftohtë vë në dukje një tjetër problem, iluzioni mbi natyrën e votës së emigrantit.

Nëse dikur imagjinohej që emigrantët do të sillnin nga jashtë një kulturë tjetër politike, më të pjekur dhe më racionale, kjo është provuar si një hipotezë e rreme. Diaspora shqiptare konsumon po të njëjtat media që konsumojnë qytetarët në Shqipëri, dhe për rrjedhojë është njësoj e ekspozuar ndaj propagandës. Ajo që ka ndodhur është më shumë se një zhgënjim elektoral, është shkatërrimi i një miti politik. Për shumë vite, opozita shqiptare, por edhe pjesë të opinionit publik, e kishin ngarkuar figurën e emigrantit me një lloj morali të veçantë, një lloj pastërtie politike. Ishte ai që largohej sepse nuk duronte më sistemin, ai që punonte ndershmërisht jashtë vendit, ai që nuk e përkulej patronazhistit dhe nuk futej në kompromis për një vend pune. Zgjedhjet e 11 majit treguan se emigranti nuk është shpëtimtar është votues normal tifoz dhe i indoktrinuar.