Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një rreshter policie ka vrarë gruan e tij dhe ka plagosur aksidentalisht vajzën e tyre 10-vjeçare, e cila sipas raportimeve tentoi ta mbronte të ëmën nga sulmi brutal.
Ngjarja ndodhi më 7 maj në një klinikë dermatologjike në Sao Paulo, ku Amanda Fernandes Carvalho u qëllua tri herë me armë dhe më pas u godit me thikë plot 51 herë nga bashkëshorti i saj, Samir do Nascimento Rodrigues de Carvalho.
Sipas autopsisë, shumica e goditjeve me thikë ishin në anën e djathtë të trupit të Amandës, përfshirë fytyrën dhe kofshën. Vajza 10-vjeçare e çiftit u qëllua teksa përpiqej të ndalonte sulmin ndaj nënës së saj.



Samir u arrestua në vendngjarje, ndërsa trupi i viktimës 42-vjeçare u gjet me thikën ende të ngulur në qafë dhe i mbuluar me gjak.
Një mikeshë e Amandës e përshkroi atë si “një njeri plot gëzim, besnikëri dhe mirësi, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët”. Ajo kishte ndarë më herët me të afërm frikën se burri i saj mund ta vriste, ndërsa kërcënimet ishin të vazhdueshme.
Pronari i klinikës, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes, ka treguar se Amanda i ishte afruar e shqetësuar dhe i kishte thënë: “Burri im është me mua, është i armatosur, është polic dhe do të më vrasë sepse po ndahemi”.
Pasi ajo u fut në një dhomë së bashku me vajzën e saj dhe telefonoi policinë, Samir hyri me armë në klinikë dhe e qëlloi Amandën, përpara se ta therte brutalisht. Mjeku në dhomën ngjitur dëgjoi të shtëna dhe u fsheh nën tavolinën e tij, i frikësuar për jetën.
Pas të shtënave, ai gjeti vajzën të plagosur dhe vuri re trupin e pajetë të Amandës me thikën ende të ngulur në qafë. Ai qëndroi me vajzën derisa policia arrestoi autorin.
Sekretariati i Sigurisë Publike të Sao Paulos konfirmoi se Amanda ishte e vdekur në momentin që forcat e rendit mbërritën. Samir është pezulluar përkohësisht nga detyra, gjë që i ka ndërprerë edhe pagën dhe përfitimet nga shërbimi.
Avokati mbrojtës i tij ka deklaruar se nuk do të japë një qëndrim zyrtar përpara përfundimit të hetimeve.

Pas tragjedisë, mikja e Amandës, Janaina Rolo, dha një deklaratë prekëse për mediat lokale: “Ajo jetonte vetëm për fëmijët, punën dhe familjen. Ishte gjithmonë e buzëqeshur, e ndershme dhe e përkushtuar. Ai e kërcënonte vazhdimisht, kishte xhelozi të sëmurë, dhe nuk e përballonte dot suksesin e saj. E kishte kërcënuar disa herë se do ta vriste para fëmijëve nëse e denonconte, madje se do të vriste nënën dhe gjyshen e saj nëse tentonte të largohej”.
Kjo tragjedi ka nxitur sërish debate në Brazil për dhunën në familje dhe mungesën e mbrojtjes efektive për gratë që kërkojnë të largohen nga marrëdhënie abuzive.