FLASH :

Emri/ Detaje nga vrasja e shqiptarit në Greqi, kush është viktima! 41-vjeçari u ekzekutua me armë nga bashkatdhetari.

Një ngjarje e rëndë kriminale që tronditi komunitetin shqiptar në Greqi po zbardhet me ritme të shpejta. Policia greke ka vënë në pranga 46-vjeçarin Mikel Selimaj, i dyshuar si autor i vrasjes së Altin Arapajt, 41 vjeç, i cili u gjet i pajetë një ditë më parë në zonën e Rafinës.

Si u zbulua vendndodhja e autorit

Sipas mediave greke, arrestimi i Selimajt u bë në një apartament në Glyka Nera, ku ai fshihej. Pronarja e banesës, e shqetësuar që qiramarrësi nuk po i përgjigjej thirrjeve, njoftoi policinë duke dyshuar për një emergjencë. Pasi trokitën për rreth 20 minuta, efektivët arritën ta detyronin Selimajn të hapte derën. Ai u gjet në gjendje të rënduar, nën ndikimin e substancave narkotike. Oficerët e identifikuan menjëherë nga fotografia dhe e arrestuan në vend.

Provat që lidhin autorin me krimin

Gjatë kontrolleve, policia gjeti një nga automjetet e përdorura nga autori, brenda të cilit u zbuluan gjurmë gjaku dhe një gëzhojë – elementë që e lidhin drejtpërdrejt me vendin e krimit. Një mjet tjetër u identifikua gjithashtu, i cili dyshohet se u përdor për transport pas vrasjes.

Telefonata e fundit dhe dinamika e atentatit

Detaje të reja tronditëse dolën nga hetimet. Mëngjesin e së mërkurës, bashkëshortja e viktimës njoftoi policinë pasi mori një telefonatë të fundit nga Altini, ku ai, i gjakosur, e informoi se ishte qëlluar në kokë nga një person, madje i përmendi edhe emrin. “Ndihmë, më kanë qëlluar… zbuloni ku jam”, ishte mesazhi i dëshpëruar i 41-vjeçarit përpara se të ndërronte jetë.

Policia ka zbuluar se natën e së martës, viktima, autori dhe dy persona të tjerë ishin takuar në Artemidë dhe më pas udhëtuan drejt Rafinës. Pikërisht aty, në automjet, Selimaj e qëlloi viktimën në fytyrë. Arapaj arriti të largohej për pak çaste, sa të kontaktonte familjen, por nuk mundi të mbijetonte.

Pista e hetimit: Larje hesapesh për drogë

Sipas burimeve të policisë greke, pista kryesore e hetimit lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Të dy shqiptarët rezultojnë të kenë pasur precedentë penalë për veprimtari të paligjshme, çka shton dyshimet se krimi është një larje hesapesh mes grupeve kriminale.

Hetimet vijojnë për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe rrethanat e plota të kësaj vrasjeje që ka tronditur edhe një herë opinionin publik për përmasat e dhunës në rrjetet kriminale shqiptare në emigracion.