Traditat, ekonomia dhe turizmi ndikojnë fuqishëm në ndarjet bashkëshortore – Finiqi dhe Saranda kryesojnë me më shumë divorce në raport me popullsinë, ndërsa Hasi dhe Pusteci qëndrojnë në fund të listës.
Të dhënat e Censit 2023 mbi gjendjen civile kanë zbuluar kontraste të theksuara në shkallën e divorceve në të gjitha bashkitë e vendit. Në një ndarje që pasqyron ndikimin e zakoneve kulturore, nivelit ekonomik dhe flukseve migratore, bashkitë e jugut dhe qendrat urbane turistike rezultojnë me përqindjen më të lartë të divorceve, ndërsa veriu mbetet më konservator.
Sipas analizës së përpunuar nga “Monitor”, në krye të listës qëndron Bashkia e Finiqit me afro 26 divorce për çdo 1.000 banorë, e ndjekur nga Saranda, Delvina, Korça dhe Dropulli – të gjitha me 22-25 divorce për 1.000 banorë.
Këto zona karakterizohen nga një prani e lartë emigrantësh dhe flukse të mëdha turistësh, që sjellin paqëndrueshmëri sociale dhe shpeshherë largim të gjatë të njërit prej bashkëshortëve. Pikërisht kjo paqëndrueshmëri njihet si faktor kryesor në rritjen e gjasave për divorc.
Në skajin tjetër të grafikut, Bashkia e Hasit shënon normën më të ulët në vend, me vetëm 2.9 divorce për 1.000 banorë. Pusteci, Klosi dhe disa bashki të tjera të Veriut kanë gjithashtu shifra të ulëta, çka sipas ekspertëve lidhet me strukturën tradicionale të familjes dhe normat kulturore më konservatore.
Ndërkohë, qytetet e mëdha si Tirana (17.6 divorce për 1.000 banorë), Durrësi (15.8) dhe Fieri (15.5) ndodhen rreth mesatares kombëtare (11-12 divorce për 1.000 banorë), duke reflektuar një përzierje të ndikimeve urbane, rritjes së emancipimit të grave dhe sfidave ekonomike.
Pasojat dhe nevojat sociale
Ekspertët nënvizojnë se divorci nuk është vetëm një ndarje ligjore, por një proces me pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike. Shkëputja e të ardhurave të përbashkëta rëndon veçanërisht mbi gratë, ndërsa fëmijët shpesh përballen me vështirësi të shumta në arsim, përqendrim dhe sjellje në adoleshencë.
Për këtë arsye, rekomandohet shtimi i shërbimeve sociale dhe ligjore në bashkitë me norma të larta divorci, si dhe mbështetje ekonomike për prindërit e vetëm./ Monitor
