Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten pasdite në ishullin spanjoll të Tenerife-s, ku një fëmijë britanik 4-vjeçar humbi jetën pasi u nxor pa ndjenja nga një pishinë hoteli në zonën turistike San Miguel de Abona.
Sipas autoriteteve lokale, shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje rreth orës 17:00 me orën lokale, në bulevardin José Miguel Galván Bello, pas raportimeve për një fëmijë në arrest kardiak. Sipas rrjetit spanjoll Telecinco, një rojë plazhi e nxori fëmijën nga uji, por ai ishte pa shenja jete.
Pushues të tjerë, mes tyre edhe disa mjekë që ndodheshin në hotel, u përpoqën me çdo kusht ta rikthenin në jetë fëmijën, ndërsa një infermiere e shërbimit emergjent të Ishujve Kanarie dha udhëzime për reanimacionin përmes telefonit. Në vendngjarje mbërritën dy autoambulanca me pajisje për ndihmë të avancuar jetësore dhe një helikopter mjekësor, por përpjekjet për ta shpëtuar fëmijën rezultuan të pasuksesshme.
Policia lokale dhe Guardia Civil janë duke hetuar rrethanat e tragjedisë. Zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi vdekjen dhe deklaroi se po ofrojnë mbështetje për familjen e viktimës dhe janë në kontakt me autoritetet lokale spanjolle.
Ndërkohë, një tjetër tragjedi me shtetas britanik ndodhi në Majorca, ku një grua 39-vjeçare vdiq pasi ra nga një pikë panoramike në lagjen El Jonquet në Palma. Ajo u transportua në gjendje kritike në spitalin Son Espases, ku fatkeqësisht ndërroi jetë atë natë. Policia e Palma-s ka nisur një hetim, por nuk dyshon për ndonjë veprim kriminal.
Të dyja rastet tragjike kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur shqetësime për sigurinë në zonat turistike ku frekuentohen nga shumë familje britanike.









