Një video e sapopublikuar nga Rojat Bregdetare të SHBA ka zbuluar një moment tragjik e thellësisht tronditës: Wendy Rush, gruaja e CEO-së së OceanGate, Stockton Rush, dëgjon një zhurmë të çuditshme gjatë një zhytjeje drejt Titanikut dhe pyet me qetësi: “Çfarë ishte ajo goditje?”, pa e ditur se sapo kishte dëgjuar momentin kur nëndetësja Titan ishte shpërthyer në thellësi të Atlantikut, duke vrarë bashkëshortin e saj dhe katër persona të tjerë.
Pamje dramatike nga bordi i anijes mbështetëse
Wendy Rush, që monitoronte në distancë zbritjen e nëndetëses nga anija “Polar Prince”, shfaqet në video duke tentuar të kontaktojë ekuipazhin e zhytur kur dëgjon një zhurmë që përshkruhet si “një derë që përplaset”. Ajo kthehet dhe pyet një anëtar të stafit: “Çfarë ishte ajo goditje?” – një moment tani i konsideruar si dëshmi kyçe në hetimin federal dyvjeçar për dështimin katastrofik të mjetit Titan.
Mesazh i vonuar, shpërthim i menjëhershëm
Pak pas zhurmës, zonja Rush mori një mesazh që sugjeronte se mjeti kishte hequr dy peshat e tij të sigurisë – një sinjal zakonisht rutinë për zhytje. Por ekspertët tani besojnë se ky mesazh ishte dërguar para shpërthimit dhe arriti vetëm pasi nëndetësja ishte shkatërruar, për shkak të valës akustike të krijuar nga shpërthimi.
Çfarë ndodhi me Titanin?
Mjeti u zhduk më 18 qershor 2023, rreth 1 orë e 45 minuta pas nisjes së zbritjes 3,700 metra poshtë sipërfaqes së oqeanit. Pak më vonë, kontaktet u ndërprenë dhe u nis një operacion ndërkombëtar kërkimi. Rrënojat e Titan u gjetën vetëm 330 metra nga prora e anijes Titanic, në fund të oqeanit.
Të gjithë personat në bord humbën jetën në mënyrë të menjëhershme: CEO-ja Stockton Rush, miliarderi britanik Hamish Harding, babai dhe djali pakistanez Shahzada dhe Suleman Dawood, si dhe eksperti francez i zhytjeve në thellësi Paul-Henri Nargeolet.
I paralajmëruar, por e injoroi rrezikun
Hetimet zbuluan se Rush ishte paralajmëruar disa herë për rreziqet që mbartte Titan. Ish-drejtori i operacioneve detare të projektit, David Lochridge, kërkoi kontrolle më rigoroze sigurie, përfshirë skanime strukturore të trupit të mjetit, por u pushua nga puna. Ndërkohë, subpiloti Karl Stanley deklaroi se kishte dëgjuar zëra “kërcitës” në një testim të mëparshëm dhe se kishte paralajmëruar Rush për rreziqet. Rush e përbuzte sigurinë si pengesë për inovacionin, duke e cilësuar madje si “ofenduese” çdo kritikë.
Tani, e gjithë industria në hetim
Videoja e publikuar dhe audioja e regjistruar nga 900 milje larg e shpërthimit janë pjesë e një hetimi të thellë që synon të përcaktojë nëse kemi të bëjmë vetëm me një aksident, apo edhe me neglizhencë penale. OceanGate ka pezulluar të gjitha aktivitetet, dhe aktualisht nuk ka punonjës aktivë.
Hetimi vazhdon, por një gjë është e qartë: përpjekja për të “lënë gjurmë në histori”, siç e përshkruan një dëshmitar në dëgjesat publike, rezultoi në një katastrofë të parashikueshme dhe të parandaluar.











