FLASH :

Si ranë dakord Çoba dhe italiani për 1 kg kokainë “ERKING” me 39 mijë euro/ Vonesa për shkak se korrierët ishin me pushime, roli i “mamasë” me të cilën këshillohej Zanzarelli

Nga zbardhja e dosjes hetimore të Prokurorisë të Barit lidhur me trafikimin e kokainës dhe heroinës nga Shqipëria drejt Italisë, ku koka e veprimtarisë duket se ishte Adi Çoba, dalin detaje të reja, lidhur me bisedat që ai bën me Angelo Zanzarelli në Bari.


Fillimisht ata bien dakord, për shitjen e një kilogrami kokainë me 39 mijë euro kilen.
Në biseda diskutohet se çmimi ishte i shtrenjtë, por arsyetohet se tregu kishte mungesë dhe se me cilësi të mirë ishte edhe më e vështirë.
Dalin detaje sipas tyre, se në Holandë, për shembull, trafikantët, merrnin 9 kg kokainë dhe i kthenin në 12 kg, duke nënkuptuar se droga përziej me substanca të tjera dhe cilësia ishte e ulët. Sipas Çobës kjo ndodhte sepse në Holandë nuk merrnin vesh mirë nga cilësia dhe droga shitej gjithsesi.


Pasi Çoba e garanton Zanzarellin për cilësinë e kokainës dhe i dërgon atij foto të “bukës” me mbishkrimin “Erking”, italiani shfaq entuziazëm.
Me të qeshura ai i thotë ”e akullt!”, duke cituar një të njohurin e tyre dhe duke nënkuptuar cilësinë e lartë të drogës.
Diskutohet për vlera rreth 90-100 mijë euro, që ata do të këmbenin, për disa kilogram kokainë dhe heroinë njëkohësisht.
Zanzarelli përmend dikë që e etiketon si “kushëriri”, për të cilin porosit gjithashtu sasi droge me kile.


Edhe më interesant është fakti që ai vazhdimisht përmend “mamanë” e tij, me të cilën këshillohet shpesh për drogën.
Në një moment madje Zanzarelli i thotë Çobës se është me mamanë e tij dhe se ajo e përshëndeste dhe e përqafonte përzemërsisht shqiptarin.
Disa vonesa vihen re lidhur me dërgesën, pasi Çoba njofton italianin se për momentin (në verën e vitit 2020), korrierët që ai kishte, ishin me pushime dhe nuk kishte njëri tjetër të besuar.