Nga të gjitha skenat absurde që ka prodhuar tranzicioni shqiptar, kjo e fundit në Tiranë është ndoshta më e pacipa: një ministër, i përmendur vetë në dosje penale për manipulim zgjedhjesh në Dibër më 2016, del publikisht për t’i “dhënë udhëzime” SPAK-ut. Po, po. I njëjti Ulsi Manja që shfaqet në përgjime duke folur për pazare votash, sot del me qetësi, me autoritet institucional, e me një listë rekomandimesh për të “orientuar” prokurorët e posaçëm të Republikës.
Si guxon një qeveri të kthejë goditjen ndaj SPAK-ut në program zyrtar? Si guxon të marrë guximin të ulë zërin e vetmit institucion që shqiptarët e kanë ndjerë pranë, që i ka dhënë emër ndëshkimit, që ka arrestuar ministra, kryebashkiakë e deputetë, që ka vënë përballë ligjit edhe vetë simbolin e opozitës?! Kush janë ata që i thonë sot SPAK-ut të “tregojë më shumë kujdes”? Kujt t’i bëjnë moral?!
Prej vitesh, shqiptarët janë mësuar të mos presin drejtësi. Janë lodhur me institucione që mbyllin sytë. Por me SPAK-un nisi një kthesë: për herë të parë u ndëshkuan ata që më parë shiheshin si të paprekshëm. Për herë të parë publiku pa që edhe emrat e mëdhenj mund të arrestohen. Altin Dumani dhe ekipi i tij krijuan një precedent: drejtësia nuk është për të varfrin, por edhe për të fortin. Qytetarët e duartrokitën. Ndërkombëtarët e përgëzuan. SPAK u bë institucioni më i besuar në vend. E tani që u provua se mund të funksionojë tani që kishte filluar të godiste rrënjët e sistemit qeveria vjen për ta zbutur?
Ulsi Manja foli për “prezumimin e pafajësisë”, për “respekt procedural”, për “masa ndëshkuese alternative”. Në thelb, një listë kërkesash për t’i prerë kthetrat SPAK-ut. Për ta kthyer në një institucion që kujdeset të mos prishë punë, jo të bëjë drejtësi. Të mos guxojë më të arrestojë pa leje politike. Të mos shqetësojë më askënd me dosje që prekin kupolën. Por cila është e drejta morale e kësaj mazhorance për të dhënë leksione drejtësie? Kush janë ata që flasin për etikë, kur s’kanë kërkuar asnjëherë ndjesë për kanabizimin e vendit, për koncesionet korruptive, për vjedhjen e zgjedhjeve me patronazhistë dhe presione?
A janë ata që në zgjedhje mburren se “kanë dorëzuar shpatën e drejtësisë”, dhe sot, pas fitores, duan ta kthejnë në një statujë për dekor? Ky nuk është debat teknik. Ky është një akt i qartë politik për të frenuar drejtësinë. Pasi SPAK kaloi në sitë Edi Ramën, arrestoi Veliajn dhe Ilir Metën, burgosi Jamarbër Malltezin dhe shkundi themelet e asaj që dikur ishte e paprekshme, pushteti nisi të frikësohet. Dhe si çdo regjim që e ndjen rrezikun nga ligji, po përpiqet ta kontrollojë atë. Ata nuk duan më SPAK-un që guxon. Ata duan një SPAK që kërkon leje. Një SPAK të urtë. Të heshtur. Me fjalë të tjera, një SPAK si çdo prokurori tjetër para reformës në drejtësi.
Kur qytetarët janë në protestë, pushteti i përbuz. Kur heshtin, pushteti i përdor. Po kur të vetmit që guxojnë janë prokurorët, dhe vetë populli nuk reagon, atëherë kemi marrë rrugë të rrezikshme. Nuk jemi më në një betejë politike. Jemi në një shkallëzim institucional, ku një qeveri me shumicë të blinduar po kërkon të diktojë edhe sesi të ushtrohet drejtësia. Kjo është arsyeja pse çdo qytetar që ka besuar në SPAK, çdo gazetar që ka mbështetur reformën, çdo njeri i ndershëm që është lodhur nga pandëshkueshmëria, duhet të reagojë. Sot. Sepse kjo nuk është një përplasje mes dy zyrtarësh. Është një përpjekje për të asgjësuar vetë idenë e drejtësisë në Shqipëri.
SPAK ka guxuar. Ka arrestuar. Ka ekspozuar. Ka ndëshkuar. Në një sistem që për dekada i është trembur ligjit, SPAK e ka rikthyer frikën tek ata që e kanë merituar. Nuk është SPAK që ka nevojë për “rikalibrim”. Është qeveria që ka nevojë për frikë nga ligji. Kur ministrat që sot japin leksione janë vetë pjesë e dosjeve që SPAK duhet të hetojë atëherë nuk kemi më të bëjmë me reformë në drejtësi. Por me kërcënim institucional të mbuluar me fjalë të buta.
Sot nuk është SPAK që është në provë. Është shoqëria shqiptare. Dhe pyetja është kjo: A do të heshtim ndërsa drejtësia sulmohet për së gjalli? Apo do të mbrojmë të vetmin institucion që ka pasur kurajon t’i shohë të gjithë, majtas e djathtas, përballë ligjit?







