Kim Kardashian është diplomuar zyrtarisht në drejtësi, duke përmbyllur një rrugëtim gjashtëvjeçar drejt ëndrrës për t’u bërë avokate. Lajmin e bëri të ditur vetë themeluesja e “Skims”, përmes një postimi në Instagram, ku ndau emocionet dhe falënderimet për të gjithë ata që e mbështetën në këtë sfidë.
Ceremonia e diplomimit u mbajt në mënyrë private, si një surprizë nga familja dhe miqtë, të cilët i organizuan një drekë festive në nder të arritjes së saj. Kardashian, e veshur me stil elegant, u shfaq edhe me kapelën tradicionale të diplomimit.
Mentori i saj vlerësoi përkushtimin e Kim-it, duke zbuluar se ajo studioi 18 orë në javë, për 48 javë në vit, për gjashtë vjet rresht – një total prej 5,184 orësh studim, ndërkohë që rrite katër fëmijë, drejtonte biznese dhe merrte pjesë në xhirime televizive.
Pasioni i saj për drejtësinë nisi pas një videoje shqetësuese që pa në Twitter, çka e shtyu të angazhohej në mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve të padrejtë. Në vitin 2019 ajo deklaroi publikisht nisjen e rrugës drejt avokatisë, ndërsa në vitin 2021 arriti të kalojë provimin “baby bar” pas tre përpjekjesh.
Sot, Kim Kardashian ka kaluar edhe Provimin e Përgjegjësisë Profesionale Shumështetërore (MPRE) dhe po përgatitet për Provimin e Avokatisë së Kalifornisë – hapi i fundit për të ushtruar profesionin si avokate në shtetin ku jeton.
Në intervistën e saj për Vogue Hong Kong në vitin 2022, ajo kishte shprehur dëshirën për të hapur një firmë të suksesshme avokatie. Tashmë, ajo është më pranë se kurrë realizimit të këtij synimi.









