Një 26-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga autoritetet italiane në qytetin bregdetar të Savonës, nën akuzat e trafikut të drogës dhe posedimit të paligjshëm të armëve dhe municioneve.
Sipas mediave italiane, arrestimi erdhi pas një operacioni policor në një lokal në pronësi të të riut, ku u gjetën disa doza kokaine të paketuara dhe të fshehura në një kavanoz në zonën e kuzhinës. Kontrollet u zgjeruan më pas në tre apartamente që ai zotëronte, ku u zbulua një sasi prej 4.4 kilogramësh kokainë – pjesërisht në formë guri dhe pjesërisht pluhur – e paketuar në vakum dhe gati për treg.
Përveç drogës, policia sekuestroi dy peshore precize, materiale paketimi, si dhe shuma të konsiderueshme parash të gatshme. Sipas hetuesve, vlera e drogës në treg kap shifrën e mbi 350 mijë eurove.
Gjatë kontrollit në njërin prej apartamenteve, u gjet gjithashtu një pistoletë gjysmëautomatike Beretta Mod.34, e pajisur me karikator dhe municion, që i shton akuzat ndaj të arrestuarit.
Hetimet vijojnë për të identifikuar lidhjet e mundshme me rrjete më të mëdha trafiku në rajon.