Thornton Heath në jug të Londrës po konsiderohet si një nga zonat më të kërkuara për të jetuar, por banorët thonë se pas çmimeve të lira të shtëpive fshihen probleme të rënda me krimin dhe sigurinë publike.
Me çmime shtëpish që lëkunden mes £400,000 dhe £500,000 për një shtëpi me katër dhoma — shumë më lirë se shumica e lagjeve të tjera të Londrës — Thornton Heath ka tërhequr vëmendjen e qiramarrësve dhe blerësve të rinj. Por ndërsa kërkesa rritet, shqetësimet po thellohen.
“Lagjja është bërë një ‘gropë e zezë’. Të rinjtë nuk kanë respekt, janë të pakontrollueshëm,” – thotë Gerry Skinell, 40 vjet banor i zonës.
Teodora Balaban, punonjëse e NHS, pohon se ndjehet e pasigurt pas orës 8 të darkës: “Nuk ka mjaftueshëm polici. Krimi është rritur dhe nuk ndihemi të mbrojtur.”
Ndërsa 75-vjeçarja Eileen Riley thekson se nuk del natën për shkak të të dehurve dhe personave që qëndrojnë rrugëve: “Kam qenë këtu dekada të tëra, por s’e mbaj mend ndonjëherë më keq.”
Sipas të dhënave të Rightmove, Thornton Heath është lagjja me rritjen më të shpejtë të qirave në të gjithë Londrën — një tendencë që ka mbushur rrugët me pankarta “me qira” dhe ka ndezur interesin e bizneseve vendase.
“Kërkesa ka shpërthyer, qiratë janë rritur me shpejtësi dhe kjo na sjell përfitim,” – pranon Simon Ford, pronar i një agjencie imobiliare.
Por ai paralajmëron se përballueshmëria ka një çmim: nga 80% pronarë shtëpish dikur, sot zona ka vetëm 30-40% pronësi të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, shqetësimet për dhunën me armë të ftohta janë gjithnjë e më të pranishme, sidomos mes prindërve. “Në shkollën e vajzës time ka thika dhe cigare elektronike. Nuk mund ta mbroj në ambientin shkollor,” thotë Souzana Angelova, që jeton pranë zonës së njohur si “Americaland”.
Përveç shtëpive të vjetra viktoriane dhe aksesit të lehtë për në qendër të Londrës, lagjja ofron një përzierje të gjallë kulturash, por edhe sfida serioze sociale.
Pavarësisht potencialit për t’u zhvilluar, shumë banorë thonë se transformimi i vërtetë nuk do të vijë pa investime reale në siguri, arsim dhe infrastrukturë.


























