FLASH :

Skandal në marinën koreano-veriore: Shkatërruesi përmbyset, Kim Jong Un shpërthen me akuza

Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë ceremonisë së lëshimit të një shkatërruesi të ri detar në Korenë e Veriut, nën sytë e liderit suprem Kim Jong Un, duke u përshkruar nga vetë ai si një “akt kriminal i papranueshëm”. Ngjarja u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Sipas njoftimit zyrtar, anija luftarake me peshë 5,000 tonë u dëmtua rëndë pas një defekti teknik gjatë lëshimit, duke u përmbysur pjesërisht dhe duke pësuar çarje në trupin e saj. KCNA theksoi se aksidenti ndodhi për shkak të “komandës së papjekur dhe neglizhencës operative”, që solli një moskoordinim të mekanizmit lëvizës të platformës së lëshimit.

“Ky është një aksident serioz dhe një akt kriminal që nuk duhej të kishte ndodhur, rezultat i pakujdesisë së pastër, papërgjegjshmërisë dhe empirizmit joshkencor,” deklaroi Kim Jong Un, i cili e konsideroi incidentin si një çështje politike që prek autoritetin e vendit.

Lideri korean urdhëroi që shkatërruesi të rikuperohet plotësisht para mbledhjes së Komitetit Qendror në qershor, duke e cilësuar si një detyrë urgjente e domosdoshme për prestigjin kombëtar.

Anija në fjalë mendohet të jetë e të njëjtës klasë me shkatërruesin e ri Choi Hyun-ho, i prezantuar muajin e kaluar si pjesë e strategjisë së re detare të Phenianit. Në prill, Kim kishte zbuluar një tjetër shkatërrues me kapacitet bërthamor, i cili sipas deklaratave zyrtare do të forcojë aftësitë parandaluese të vendit kundër kërcënimeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon.

Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga autoritetet ushtarake të Koresë së Jugut për incidentin apo për prezantimin e flotës së re të Koresë së Veriut.