FLASH :

Kush do të jetë agjenti i ardhshëm 007? Theo James bëhet emri surprizë që kryeson listat për të zëvendësuar Daniel Craig

Roli i James Bond mbetet një nga më të lakmuarit në botën e kinemasë dhe emri i aktorit që do të trashëgojë smokin ikonik të Daniel Craig është kthyer në një nga enigmat më të komentuara në industrinë e filmit.

Ndërsa Craig u tërhoq nga roli pas filmit No Time To Die, shumë emra janë përfolur si pasardhës, nga Idris Elba te aktorë më pak të njohur si Stuart Martin. Por së fundmi, një emër surprizë ka kaluar në krye të garës: Theo James, 40 vjeç, i njohur për rolet në The Divergent Series, The White Lotus dhe The Gentlemen të Guy Ritchie-t.

Sipas kompanive të basteve Ladbrokes dhe Coral, Theo James është tani kandidati kryesor për të luajtur 007, me koeficient 6/4. Ai lë pas emra të mëdhenj si Henry Cavill (3/1), Aaron Taylor-Johnson (7/2) dhe Jack Lowden (8/1).

Pavarësisht se vetë aktori ishte shprehur me skepticizëm për këtë rol në një intervistë për The Guardian në vitin 2024, duke thënë: “Të gjithë janë të interesuar për Bond-in, por ndoshta nuk jam unë personi i duhur. Do ishte e frikshme… si të hapësh kutinë e Pandorës”, duket se interesimi për të është ringjallur së fundmi.

Sipas Coral, 70% e basteve të fundit janë vendosur për Theo James, duke e kthyer atë në favoritin e publikut.

Në listën e kandidatëve renditen gjithashtu Harris Dickinson, Callum Turner, Josh O’Connor dhe Stuart Martin.

Aktori Harris Dickinson, yll i filmit Babygirl, ka qenë kandidati i tretë në listat e basteve dhe, në një aktivitet në Festivalin e Filmit në Cannes, u pyet se kush do të ishte sipas tij Bond-i më i mirë. “Nëse Jonathan Bailey është zgjedhja juaj e parë, atëherë le të shkojmë me atë,” tha ai me diplomaci.

Bailey, yll i Bridgerton, është përmendur herë pas here si kandidat, edhe pse aktualisht nuk renditet ndër favoritët.

Ndërkohë, një tjetër lajm i rëndësishëm ka qenë fakti që Amazon Prime ka marrë kontrollin krijues të serisë James Bond, pas blerjes së MGM Studios në vitin 2022. Ky zhvillim ka shqetësuar fansat, të cilët druhen se Amazon mund të shndërrojë sagën në një serial me spin-off pa fund, siç ndodhi me Star Wars.

Sipas Daily Mail, producentët David Heyman dhe Amy Pascal janë emëruar në krye të projektit dhe janë pranë një marrëveshjeje me regjisorin fitues të Oscar-it, Alfonso Cuarón.

Filmi i ardhshëm pritet të jetë një rindezje totale (reboot) pa ndonjë shpjegim sesi agjenti është ende gjallë apo udhëtime në univers paralele. Do të jetë një Bond i ri, me një histori krejtësisht të re.

Amazon thuhet se po shqyrton lokacione të ndryshme për xhirimet, për shkak të një ndalese për filmime në Londrën Qendrore në vitin 2026. Liverpool është një nga alternativat kryesore, pasi është përdorur më parë si zëvendësuese për qytete të ndryshme në filma si The Batman, Captain America dhe Harry Potter.

Burime për The Sun shprehen se kjo lëvizje mund të irritojë fansat e vjetër të Bond-it, por mbetet për t’u parë nëse historia do të vendoset vërtet në këtë qytet.

Filmi i ri i James Bond pritet të dalë në fund të vitit 2026 ose në fillim të 2027.