FLASH :

Fundi i ndarjes së pushteteve në Shqipëri

Nga Maksi Çami

Në çdo republikë të vërtetë, forca më e madhe nuk është ajo e një individi, por ajo e balancës. Midis pushteteve. Midis ambicieve. Midis frikës dhe përgjegjësisë. Kjo është ideja e ndarjes së pushteteve ajo që ndan shtetet demokratike nga regjimet autokratike. Por çfarë ndodh kur kjo ndarje fshihet, dobësohet, më pas zhduket krejt? Çfarë ndodh kur një forcë politike dhe një lider i vetëm i kontrollon të gjitha institucionet: qeverinë, parlamentin dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe gjyqësorin? Kjo ndodh kur një vend, si Shqipëria sot, nuk është më republikë funksionale, por një sistem tërësisht të përqendruar ku pushteti nuk ka më asnjë kufi real.


Prej zgjedhjeve të fundit, ku Partia Socialiste rifitoi jo vetëm shumicën parlamentare, por edhe fuqinë për të ndryshuar Kodet e legjislacionit shqiptar, Edi Rama është bërë personifikimi i përqendrimit të pushtetit në Shqipëri. Ekzekutivi është plotësisht në dorën e tij. Parlamenti funksionon si një zgjatim i zyrës së Kryeministrit. Institucionet e pavarura, përfshirë Presidentin dhe shumë nga organet e drejtësisë, janë tashmë të mbushura me emërime të diktuara nga mazhoranca.
Në këtë situatë, flasim ende për ndarjen e pushteteve, por realisht ajo ka pushuar së ekzistuari. Në “The Federalist Papers”, James Madison, një nga mendjet më të ndritura të themelimit të republikës amerikane, shkruante: “Ambicia duhet të kontrollojë ambicien.

Ndarja e pushteteve është garancia që asnjë fuqi të mos bëhet e pakufizuar.” Ky ishte thelbi i një sistemi të ndershëm dhe të qëndrueshëm: çdo pushtet duhet të frenojë tjetrin. Qeveria nuk mund të bëjë gjithçka që dëshiron, sepse parlamenti ka të drejtën ta ndalojë. Parlamenti nuk mund të abuzojë me ligjet, sepse gjykatat kanë fuqinë t’i rrëzojnë. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin sepse balanca krijon kontroll, dhe kontrolli krijon liri.


Por në Shqipëri sot, Qeveria dhe Parlamenti janë një. Deputetët e Partisë Socialiste miratojnë çdo projektligj të qeverisë pa debat. Nuk ka kontroll real, nuk ka verifikim të ligjshmërisë, nuk ka kritikë. Shumica nuk legjitimon vullnetin e qytetarëve, por vullnetin e shefit. I zgjedhur nga një mazhorancë e vetme, pa dialog, pa konsensus, roli i Presidentit të Republikës është ceremonial dhe kjo e bën të pakuptimtë ndarjen formale të pushtetit.


Kur një njeri i vetëm mund të ndryshojë ligjet si të dojë, të caktojë drejtuesit e institucioneve, të menaxhojë fondet publike pa frikë se do përballet me kontroll institucional, atëherë kemi kaluar nga republika në një “monarki të zgjedhur” siç do ta quante Madison. Sepse në një republikë, asnjë pushtet nuk është i përjetshëm dhe asnjë lider nuk është i pakontrollueshëm. Në Shqipëri, në praktikë lideri është bërë më i fortë se Kushtetuta.

Kjo është një nga format më të rrezikshme të deformimit të demokracisë: kur qytetarët votojnë me bindjen se kanë zgjedhur, por në të vërtetë nuk kanë asnjë ndikim mbi drejtimin e vendit. Sot, kërcënimi më i madh për demokracinë shqiptare nuk është një grusht shteti, as një parti ekstremiste që synon të përmbysë sistemin me dhunë. Kërcënimi është ngadalë, i heshtur, institucional. Është zhdukja e kontrollit të ndërsjellë. Është normalizimi i një pushteti që nuk pyet më askënd.


Kjo është sfida reale e opozitës, gjithë politikës dhe e gjithë shoqërisë: jo të zëvendësojnë një lider me një tjetër, por të ndreqin sistemin që i lejon liderët të bëhen të pakufizuar. Të kërkojnë kthimin e balancës: një parlament që kontrollon qeverinë, një drejtësi që nuk trembet nga politika, një president që nuk është kukull. Të ringjallin idenë që pushteti duhet frenuar, jo adhuruar. Sepse një popull që e duron një pushtet të pakufizuar, herët a vonë do të zgjohet pa asnjë pushtet mbi fatin e vet. Dhe në atë moment, nuk do të jetë më çështje e ndarjes së pushteteve, por e mbijetesës së lirisë.