Kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi, deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e SPAK, Altin Dumani, se mafia shqiptare përbën një forcë të madhe kriminale në Europë, por theksoi se lufta ndaj saj është një prioritet i përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Ka pasur një bashkëpunim perfekt mes institucioneve italiane dhe atyre shqiptare,” tha Rossi. Ai e përshkroi mafian shqiptare si një “kancer” që duhet luftuar me vendosmëri dhe shtoi se falë operacioneve të përbashkëta si “Ura”, hetimet ndaj grupeve kriminale do të intensifikohen më tej.
Operacioni “Ura” është një ndër më të mëdhenjtë të zhvilluar ndonjëherë mes dy vendeve, me dhjetëra urdhër-arreste dhe sekuestrime pasurie, që synojnë goditjen e krimit të organizuar ndërkombëtar.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu për luftën kundër mafias që ndajmë me prokurorinë e Barit dhe autoritetet shqiptare. Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë prej 10 vjetësh për të luftuar krimin në Itali dhe Shqipëri. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet e hetimit shqiptar janë shumë të afta për kapjen e veprave bashkë me ne. Kjo afërsi dhe kjo forcë e përbashkët është shumë e rëndësishme. Mafia shqiptare është një forcë e madhe, por jemi të bindur se populli shqiptar do ta luftojë këtë kancer, përmes bashkëpunimit që është perfekt dhe që mund të arrijë këtë objektiv.Për detajet e operacionit do të flasin kolegët e mi dhe këtë afërsi që ndodh mes nesh.”- tha Rossi.