Një megaoperacion i ndërmarrë nga SPAK është duke u zhvilluar njëkohësisht në disa qytete të vendit, si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora. Aksioni është fokusuar në goditjen e grupeve të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës, ndërsa zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane.
Sipas burimeve zyrtare, janë lëshuar gjithsej 52 urdhër-arreste, prej të cilave të paktën 20 janë për t’u ekzekutuar brenda territorit shqiptar. Mes të dyshuarve përfshihen zyrtarë shtetërorë, efektivë policie dhe biznesmenë, çka e bën këtë një nga operacionet më të ndjeshme të viteve të fundit.
Gjithashtu, janë kryer kontrolle banesash në disa lokacione, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar një sërë pasurish të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, si pjesë e hetimeve pasurore që shoqërojnë veprimtarinë penale.
Operacioni vijon në terren, ndërsa priten të tjera detaje në orët në vijim për të përshkruar plotësisht përmasat dhe rrjetin e përfshirë në këtë goditje të gjerë ndaj krimit të organizuar.
Në kuadër të operacionit të përbashkët antidrogë mes Italisë dhe Shqipërisë, është ndaluar pronari i agjencisë “Ligori Travel” në Durrës. Gjithashtu, Gjykata ka vendosur masë sigurie për avokatin Armand Tragaj. Urdhër-arrest është lëshuar edhe për Ervis Doçin, i njohur në zonën e Durrësit si “Visi i Pojës”.
Operacioni po vijon në disa qytete dhe përfshin dhjetëra urdhër-arreste në Shqipëri dhe Itali.