“Shqipëria ndër 5 vendet më mikpritëse në Europë për amerikanët” – Ekspertja Cepee Tabibian e rendit mes destinacioneve më tërheqëse për jetesë jashtë SHBA

Shqipëria është një nga pesë vendet më mikpritëse në Europë për qytetarët amerikanë, sipas ekspertes së zhvendosjes ndërkombëtare Cepee Tabibian, e cila ka ndarë përvojën e saj personale dhe listën e destinacioneve më të përshtatshme për një fillim të ri jashtë SHBA.

Tabibian, e cila në moshën 35-vjeçare braktisi Teksasin për t’u zhvendosur në Europë, sot ndihmon gra mbi 30 vjeç të realizojnë të njëjtin tranzicion përmes platformës së saj She Hit Refresh. Ajo rendit Shqipërinë krah vendeve si Spanja, Portugalia, Franca dhe Holanda, duke theksuar faktorë si viza të favorshme, kosto të ulët jetese, komunitete të huaja të zhvilluara dhe përdorim të gjerë të anglishtes.

Pse Shqipëria?

Shqipëria lejon qytetarët amerikanë të qëndrojnë deri në një vit pa vizë – një përparësi e veçantë në krahasim me shumë shtete të tjera europiane. Me një kosto jetese të përballueshme dhe natyrë mahnitëse, vendi është bërë veçanërisht tërheqës për punonjësit në distancë dhe aventurierët me buxhet të kufizuar.

Tirana është kthyer në një qendër për komunitetin ndërkombëtar, ndërsa Riviera shqiptare ofron disa prej plazheve më të bukura në Europë. Për shumë amerikanë, Shqipëria është një vend ideal për një nisje të re – shpesh si stacion i parë përpara zhvendosjeve të tjera në kontinent.

Krahas Shqipërisë, Tabibian rendit edhe:

  • Spanjën, falë vizave për nomadët digjitalë dhe klimës shoqërore të hapur.
  • Portugalinë, për stilin e relaksuar të jetesës dhe vizat D7 e nomadëve digjitalë.
  • Francën, për cilësinë e jetesës, kujdesin shëndetësor dhe jetën familjare.
  • Holandën, për infrastrukturën moderne dhe programin DAFT që favorizon amerikanët e vetëpunësuar.

Sipas autores, ky pesëshe ofron kombinimin ideal të mundësive ligjore, mirëpritjes sociale dhe cilësisë së jetesës për të gjithë ata që kërkojnë të ndërtojnë një jetë të re larg SHBA-së.